Ankesa: Matura shtetërore e lënë pas dore

Nxënësit e vitit të katërt të shkollave të mesme ankohen se pyetjet e maturës shtetërore nuk do të publikohen në internet dhe frikësohen se mund të ketë gabime dhe të dështojnë në rezultate. Ata theksojnë se me poenat e maturës shtetërore përcaktohet dhe e ardhmja e tyre në ujërat akademik.

“Matura shtetërore është shumë e rëndësishme për ne, ngase ajo përcakton të ardhmen tonë. Tani paralajmëruan se do të nxjerrin pyetjet e testimit ekstern, por për pyetjet e maturës nuk u tha asgjë. Frikësohemi se mos ka ndonjë gabim apo mos dështojmë për arsye teknike e më pas të mbesim askund”, tha Kaltrina G., nxënëse e vitit të katërt.

“Kemi mësuar dhe jemi duke u përgatitur, por është shumë e vështirë. Do të ishte shumë mirë që të publikoheshin pyetjet me qëllim që të dimë përafërsisht se çka do të ketë në maturën shtetërorë”, tha Florim T., maturant.

“Jemi duke ushtruar me profesorët por ka shumë material. Po punojmë orë plotësuese madje disa edhe paguajnë profesorë që jashtë mësimit ti ushtrojnë. Shpresojmë që do ja dalim mirë”, tha Agron F., maturant.

Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencë (MASH), Goran Galevski bën të ditur se vetëm pyetjet e testimit ekstern u bënë publike.

“Ashtu si herën e kaluar, edhe kësaj radhe do të publikohen pyetjet e testimit ekstern ne ueb faqen e MASH-it. Për pyetjet e maturës shtetërore nuk është vendosur një gjë e tille. Ato nuk do të publikohen online”, tha për Portalb, Galevski.

Nga ana tjetër kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta vlerëson se edhe këtë vit nuk do të ndryshojnë rezultatet e maturës shtetërore, posaçërisht tek shqiptarët.

“Nuk ma merr mendja që do të ketë ndonjë ndryshim të rezultatit edhe këtë vit, shkaku se nuk mund të presim sukses kur nuk ka kushte nuk ka mjete. Shkollat shqipe ende vazhdojnë të funksionojnë si të stërngarkuara dhe për këtë arsye nuk pres rritje të rezultatit”, tha Dardhishta.

Megjithatë maturantët shpresojnë që do të ia dalin mirë në këtë testim dhe shpresojnë që do të arrijnë të regjistrohen në ato fakultete në të cilat mendojnë se kanë kapacitet.

Lajme të ngjashme

Back to top button