Aksion për pastrimin e Parkut të Qytetit: Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!

Një grup të rinjsh, të organizuar nga Lëvizja për Edukim dhe Avancim të Dialogut LEAD, do të realizojë aksion për pastrimin e mbeturinave në Parkun e Qytetit të Shkupit, me moton “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!”. Aksioni do të mbahet sot, ndërsa vendtakimi është te Fontana te Parku i Qytetit, në ora 17, njofton Portalb.mk.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të Shkupit të na bashkëngjiten në këtë aksion. Disa grupe formale dhe joformale, si dhe individë, veç më kanë paralajmëruar se do të jenë pjesë e aksionit. Ky do të jetë aksioni i parë nga shtatë aksionet e planifikuara për pastrimin e pjesëve të ndryshme të Shkupit dhe rrethinës, në shtatë muajt e ardhshëm. Me këtë aksion fillon faza e dytë e Projektit “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!”. Faza e parë u realizua në Vodno, gjatë vitit të kaluar”, thuhet në kumtesë.

Krahas pastrimit të këtij lokacioni, aksioni ka për qëllim edhe ta ngrejë vetëdijen publike te qytetarët për ruajtjen e mjedisit jetësor. Për këtë qëllim, grupi i aktivistëve do të mbajë bluza me sloganin “Në xhep, nëse s’ka ku  tjetër!. Gjithashtu, aksioni u mundëson të rinjve të bashkësive të ndryshme etnike të punojnë së bashku dhe të shoqërohen.

Projekti “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!” Përkrahet nga Programi Civica Mobilitas, të cilin e zbatojnë NIRAS nga Danimarka, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti Suedez për Administratë Publike SIPU.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button