Obama: Rishikim dënimit me vdekje

Presidenti amerikan Barack Obama planifikon t’i kërkojë prokurorit të përgjithshëm Eric Holder të investigojë problemet në lidhje me zbatimin e dënimit me vdekje.

Njoftimi i presidentit vjen pak ditë pasi ekzekutimi në ditët e fundit i një të dënuari në Oklahoma tërhoqi vëmendjen e mbarë botës. Obama e cilësoi vdekjen e zgjatur të Clayton Lockett, të realizuar me një injeksion, “thellësisht shqetësuese”.

Presidenti tha se ka qëndrime të kundërta lidhur me dënimin me vdekje. “Mendoj se ngjarja në Oklahoma vë në dukje disa nga problemet më domëthenëse. Amerikanët duhet të pyesin veten për çështje të tilla kaq të ndjeshme”, deklaroi Obama.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili e njeh mirë profesionin e avokatit, tha gjithashtu se dënimi me vdekje është i nevojshëm në disa raste, sidomos për ato që lidhen me vrasjen e fëmijëve, por zbatimi i tij në Shtetet e Bashkuara është problematik.

Ai tha gjithashtu se do të ngarkojë zotin Holder me detyrën e hartimin të një analize për të verifikuar se çfarë hapash janë marrë, jo vetëm për shembullin e fundit, por edhe më gjerë në këtë fushë.

Ndërkohë, guvernatorja e Oklahomës, Mary Fallin ka urdhëruar një “rishikim të pavarur” të protokollit shtetëror të ekzekutimit, duke thënë se departamenti i sigurisë publike duhet të kryejë një hetim. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button