Kosovë, Policia ka nisur hetime për lajme të rreme nga portalet në kohë fushate
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur procedurat për të hetuar rastet e publikimit të lajmeve të rreme në internet.
Në rastin e parë, Policia thotë se “më 09.06.2017 ankuesi mashkull shqiptar, ka raportuar se person-a të panjohur në mënyrë të rrejshme duke u thirrur në emër të portalit, kanë publikuar lajme lidhur me aktivitetet politike-zgjedhore”.
Rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar nga njësite relevante policore, thuhet në njoftimin e PK-së.
Një tjetër rast, është shënuar kur sipas PK-së “ankuesja femër shqiptare, ka raportuar se person-a të panjohur kanë vjedhur emrin dhe logon e gazetës Kosova Sot dhe janë duke shpërndarë lajme të rrejshme në disa uebfaqe. Po ashtu rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar nga njësite relevante policore”.
Gjatë ditës, LDK ka ftuar Prokurorinë dhe Policinë që t’i hetojë “lajmet e rrejshme”.