Vritet piloti ukrainas, rinisin operacionet anti-terror

Forcat qeveritare të Ukrainës kanë nisur një operacion “anti-terror” në qytetin lindor të Slovianskut, ka njoftuar qeveria në Kiev.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës deklaroi se një pilot helikopteri është vrarë dhe persona të tjerë janë plagosur nga një raketë anti-ajrore e qëlluar nga rebelët pro-rusë.

Nga ana tjetër, separatistët në tre postoblloqe të Slovianskut kanë thënë për BBC se në zonat e tyre nuk ka luftime. Qyteti konsiderohet një bastion i militantëve pro-rusë që po e rrisin gjithmonë e më shumë kontrollin në rajon.

Agjencitë e lajmeve raportojnë për të shtëna, shpërthime dhe helikopterë ushtarakë që qëllojnë në rrethinat e Slovianskut.

Por gazetari i “New York Time” që ndodhet atje, CJ Chivers përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social Twitter njoftoi se “aktualisht në Sloviansk ka fare pak të shtëna”.

Ndërsa televizioni shtetëror rus “Rossiya 24” më herët deklaroi se qyteti po “bastisej”. Ditën e mërkurë, Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se çdo operacion do të kishte “pasoja katastrofike”.

Më herët, presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Olexandr Tuchynov futi sërish në fuqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për t’u përballur me sigurinë e degraduar në lindje të vendit.

Lëvizja, e shpallur me një dekret, erdhi teksa militantët pro-rusë morën nën kontroll zyrën e prokurorit rajonal në Donetsk, një qytet ku shumica e ndërtesave qeveritare tashmë është nën kontrollin e tyre. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button