1 maji në Strugë, nën hijen e grabitjes, policia gjen veturën e tyre?!

Ngjarja e mbrëmshme në shëtitoren në qendër të Strugës, është temë kryesore e bisedave, analizave dhe vlerësimeve të qytetarëve të Strugës, duke thënë të gjithë njëzëri se kjo ngjarje ka tronditë qytetin dhe qytetarët e mysafirët që kanë ardhur tradicionalisht me rastin e festive të 1 Majit, shkruan INA. Kjo ngjarje ka vënë nën hije festën.

Nga SPB në Ohër, akoma nuk ka ndonjë komunikatë zyrtare me shkrim, ndërsa zëdhënësi i SPB-së në Ohër, Stefan Dimoski përmes telefonit ka deklaruar se “Vetura me të cilën kanë lëvizur grabitësit e markës “Audi” me targa të Strugës është gjetur në rrugën malore afër fshatit Mali Vllaj, në afërsi të kufirit me Shqipërinë, ndërsa në operacionin e zgjeruar të policisë, një pjesë e arit të grabitur,  është gjetur i shpërndarë në afërsi të fshatit Vishnjë. Megjithatë nuk dihet saktë se grabitësit a e kanë kaluar kufirin dhe a janë larguar në Shqipëri”. Stefan Dimoski po ashtu ka thënë se në këtë grabitje të armatosur kanë marrë pjesë 5 persona e jo 3 persona siç ishte bërë e ditur mbrëmë.

Informacionet për këtë rast janë mjaft kontradiktore, që po krijojnë edhe huti më të madhe në opinion, duke pas parasysh se të gjithë janë të interesuar që sa më parë të zbardhet rasti, për tu kthyer qetësia në qytet.

Organet policore, ato të hetuesisë dhe pjesëtarët e organeve tjera kompetente janë vënë në ofiqencë të plotë për zbardhjen e rastit, identifikimin dhe kapjen e kryesve të kësaj vepre makabre dhe nxjerrjen para organeve të drejtësisë.

Përndryshe sot në shëtitoren në qendër të Strugës, ka një fluks të shtuar të njerëzve, që kanë ardhur edhe nga shtetet fqinje, Greqia, Shqipëria, Bullgaria, me rastin e festës së 1 Majit, ndërkaq, përderisa të gjitha dyqanet janë të hapura, argjendari “Cirkon” është   e mbyllur dhe roletat janë të lëshuara. 

Lajme të ngjashme

Back to top button