Mediat thurin elozhe për Atletico Madrid

“Madridi në Qiell”- Ky është titulli kryesor i të përditshmes spanjolle “AS”, e cila i referohet finales madrilene në UEFA Champions League ku si asnjëherë tjetër në 90 minutëshin e fundit do të ndeshen dy skuadra nga i njëjti qytet.

Në faqen e parë të të përditshmes iberike citohen gjithashtu Diego Simeone, Koke dhe Diego Costa, ndërsa Mourinho pranon fatin e gjysmëfinales duke theksuar se Atletico e meritoi fitoren.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe e përditshmja tjetër madrilene “Marca”, sipas së cilës, Atletico Madrid dhuroi një leksion futbolli në Londër dhe tashmë finalja e 24 Majit në Lisbonë do të jetë e gjitha spanjolle. “Marca” shton gjithashtu se ky moment është një apoteozë për futbollin spanjoll pasi për herë të parë në finale do të luhet edhe një derbi, transmeton Supersport.

Ndryshe nga të përditshmet spanjolle, tabloidet britanikë preferojnë të luajnë me titujt për të kritikuar lojën e Bluve të Londrës që nuk lanë asnjë shenjë në këtë gjysmëfinale.

“Blues miss bus”, Blutë pa autobus, ironizon “Daily Expres” që kërkon të vendosë në dukje faktin se këtë 90 minutësh skema e Jose Mourinhos për të parkuar autobusin përpara portës nuk funksionoi. “The Sun” zgjedh foton e kapitenit të shoqëruar me titullin “Johni i përlotur”.

Në Itali preferojnë të thurin elozhe për trajnerin e Atleticos sepse “Gazzetta Dello Sport” hapet me kryetitullin “Sime One” duke rrëzuar nga olimpi “Special One”, ndërsa për katalanaset “Sport” dhe “El Mundo Deportivo”, finalja mes Realit dhe Atleticos së Madridit është historike.

Lajme të ngjashme

Back to top button