Kitaroviq: Transformi i FSK në armatë sipas ndryshimeve të Kushtetutës

Në takim mes presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviq dhe kolegut të saj kosovar Hashim Thaçi mes të tjerash është bërë fjalë edhe për transformimin e Forcave të sigurisë së Kosovës (FSK) në armatë të Kosovës.

Lidhur me këtë Kitaroviq ka deklaruar se transformimi duhet të jetë konform ndryshimeve kushtetuese dhe se vendi i saj jep mbështetje të plotë për Kosovën.

Në takim me presidenten Grabar-Kitaroviq, presidenti Thaçi është shprehur se Kosova dhe Kroacia vazhdojnë të kenë marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera, duke u shprehur mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë, si në ditët e luftës për liri e barazi, në kohën e ndërtimit të shtetit si dhe tani në kohën e konsolidimit të shtetit.

“Jam i gëzuar që qeveritë tona janë afër finalizimit të marrëveshjes për Partneritet Strategjik në mes dy vendeve tona. Kjo do të hap rrugë jo vetëm për thellim të bashkëpunimit, por edhe koordinimit të veprimeve tona në marrëdhëniet bilaterale, në kuadër të zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për përkrahjen e Kroacisë për Kosovën në forumet ndërkombëtare, qoftë në NATO kur është fjala për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, qoftë në Samitin Brdo-Brione apo forumet tjera ndërkombëtare.

Në takim u fol edhe për komunitetet respektive, që sipas Presidentit Thaçi “janë ura lidhëse në mes Kosovës dhe Kroacisë”.

Nga ana tjetër, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq ka thënë se Kroacia do të vazhdojë të mbështes Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe angazhimin për të arritur paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button