Shpëtim Duro: Shkëndija, ecuri fantastike

Shkëndija e Tetovës ka përmbushur misionin dhe tre javë përpara përfundimit të kampionatit ka siguruar mbijetesën.

Skuadra e cila dukej e pashpresë në fazën e parë të sezonit, ka mrekulluar në javët e fundit pasi nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Shpëtim Duro ka dhuruar rezultate befasuese. Numri një i stolit të kuqezinjve nga Tetova shprehet i kënaqur me ecurinë e skuadrës.

“E kam marrë ekipin në 3 ndeshjet e fundit të vitit 2013. Ishte keq në klasifikim dhe e eliminuar nga Kupa, një gjendje shumë e pashpresë. Objektivi ishte mbijetesa dhe mendoj se ia arritëm shumë më herët.”

Pasi ka realizuar objektivin për të qenë sërish mes më të mirëve edhe për sezonin e ardhshëm, Shkëndija tashmë sheh përpara mundësinë matematikore për të synuar Europën, një objektiv i vështirë për trajnerin Duro, edhe pse sipas tij skuadra do të bëjë maksimumin në 3 ndeshjet e mbetura.

“Është hapur oreksi por jo gjithçka varet nga ne. Kemi 5 kundërshtarë por do të bëjmë maksimumin në tre ndeshjet e mbetura.”

Nga derbi i fazës së dytë me Renovën, në derbin e kësaj fundjave, Shkëndija regjistron një ecuri mbresëlënëse me 7 fitore dhe një humbje në tetë ndeshje, një rrugëtim që mund të ishte më i mirë sipas trajnerit Duro.

“Ecuria e deritanishme është fantastike, me 7 fitore 5 prej të cilave në transfertë dhe ndaj kundërshtarëve të fortë. Kemi bërë vetëm një gabim kur u mundëm në shtëpi, por humbja erdhi si pasojë e vendimeve të arbitrit që nuk na dha tre penallti. Federata e ka dënuar që nga ajo ndeshja ai nuk ka drejtuar më.”

Tashmë me sezonin drejt përfundimit, po projektohet e ardhmja. Trajneri Duro shpreh haptazi dëshirën për të qëndruar por më parë klubi duhet të ulet të bisedojë me trajnerin për të plotësuar kërkesat e tij.

“Do ulem të flas me drejtuesit pasi kemi bërë një punë të mirë. Por do flasim së bashku pasi edhe unë kam ëkrkesat e mia, pasi këtu kë shumë presion. Megjithatë do të dëshiroja të vijoja më tej.”/ Supersport

Lajme të ngjashme

Back to top button