‘Sulmet’ nuk do ta ndalin Dhurata Ahmetajn e as ‘Elephant’

Ka filluar të ndjehet fuqia që po sjell përmes projekteve në skenë Shtëpia Publikuese ‘Elephant’. E si duket kjo po bën që ziliqarët të mundohen t’i shkaktojnë dëme duke i fshirë klipet e publikuara, këngë të pa përfunduara. Por ky fakt nuk po shqetëson aspak menaxhmentin e ‘Elephant’. Arnolld Korenica, menaxher i ‘Elephant Music’. Për Tribunën ai ka shpalosur se fokusi i tyre është vetëm puna dhe paraqitja sa më dinjitoze para publikut

Kanë hyrë fuqishëm në tregun muzikor duke u bërë dita ditës konkurrentët më të fortë në skenë. Bëhet fjalë për shtëpinë publikuese ‘Elephant’ në krye me këngëtarin Blerim Muharremi- Blero dhe kompozitorin Florent Boshnjakun. E kjo shtëpi tash e sa ditë po has në sulme nga disa dashakeqës të cilët po mundohen të prishin punën e tyre.

Por Arnolld Korenica, menaxher i ‘Elephant’ ka thënë që kjo nuk po i prish punë atyre, ndërsa ka shtuar se stafi i tyre është duke punuar fort që në skenë të vijnë me projekte edhe më të mira. Ndër të tjera ai për Tribuan ka treguar çdo gjë rreth fshirjes së klipit të Dhurata Ahmetaj duke mos lënë anash edhe angazhimet e panet e shumta që këngëtarja ka për këtë sezon…

Tribuna: Kemi informacion që videoklipi i fundit i këngëtares Dhurata Ahmetaj, është hequr nga kanali muzikor Youtube. A e dini se kush ka mundur ta bëjë këtë?
Korenica: Informacioni i juaj është i saktë. Videoklipi është larguar pas disa sulmeve dhe ankesave që kanë çuar drejt largimit të videoklipit. Po ashtu ka ndikuar shumë fakti se videoklipi është klikuar ekstremisht shumë në një kanal të ri, i cili nuk ka as 500 abonentë (Subscribers) dhe kjo ka bërë që sulmet apo të ashtuquajtura ‘strikes’ të konsiderohen nga ‘YouTube’ dhe video të fshihet. Se kush qëndron prapa këtyre sulmeve, nuk e dimë. Mund të jenë edhe të ashtuquajturit ‘hakerë’ që kanë lansuar një këngë të pa publikuar nga ‘Elephant’, por mund të jetë edhe dikush tjetër. Nuk jemi të interesuar që të gjejmë fajtorët, e të nxisim konflikte.

Tribuna: Sa e ka dëmtuar këngëtaren kjo, meqë kënga është kthyer, por jo edhe klikimet që i ka pasur?

Korenica: Videoklipi është kthyer, në kualitet edhe më të mirë, por dëmi edhe pse është i pariparueshëm pasi janë humbur mbi 100 mijë klikime, kjo s’do ta ndalë Dhuratën e as ‘Elephantin’ drejt projekteve tjera dhe ngritjes së këngëtares në piedestalin e skenës muzikore shqiptare. Ne, menaxhmenti i saj, jemi shumë të shqetësuar dhe të dëshpëruar për këtë që ka ndodhur. Dëmi është i madh në imazh, pasi që dihet se sa vlerësohen nga njerëzit klikimet. Si do që të jetë, vet Dhurata nuk është aspak e zhgënjyer, ajo është shumë e lumtur për suksesin pasi njerëzit po e vlerësojnë punën e saj dhe përgjigja ndaj të gjitha këtyre ndodhive do të pasojë në projektet e ardhshme nga ‘Elephant’ për Dhuratën.

‘Ne nuk kemi krijuar armiq’

Tribuna: A mendoni që është dikush që ka për qëllim t’i bëjë keq ‘Elephantit’, pasi që ditë më parë pa aprovimin e Bleros, u publikua një këngë e tij e pa përfunduar?
Korenica: Nuk e mohoj, por as nuk e pohoj se kjo mund të ketë ndikuar në ndodhitë e fundit. Ne nuk kemi me askënd asnjë konflikt, jemi kompani e re, shtëpi publikuese e re e formuar pak muaj më parë, nuk kemi pasur as kohë e as hapësirë shumë ta shprehim veten. Suksesi po ndihet, është i madh, por nuk kemi krijuar armiq, nuk kemi trashëguar të tillë, e as që jemi të interesuar për të krijuar armiq. Por, nëse ka të tillë, përgjigja do të vijë te vendi dhe me shumë punë.

Tribuna: Si do ta parandaloni ju këtë ‘sulm’ që është drejtuar kah ‘Elephant’?
Korenica: Përgjigja më e mirë është me projekte dhe me punë. Ne nuk merremi me fjalë, ne nuk merremi me dikë tjetër. Ne merremi vetëm me veten, jemi kompani profesionale, që ka një staf shumë profesional prapa dhe që janë duke analizuar çdo gjë, çdo të vetmin detaj. Sulmet ndaj nesh mund të mos ndalen, por njëjtë mund të them se as ‘Elephant’ s’do të ndalet.

Tribuna: Ndryshe si po ndihet Dhurata pas gjithë kësaj buje që bëri projekti i saj i fundit?
Korenica: Ajo as që ka mundur ta shijojë premierën, apo edhe suksesin e premierës së “If You Like It”. Ka pasur koncerte, shumë intervista, vazhdon të jetë e angazhuar në projekte të reja. Ajo ndihet mirë që po vlerësohet nga publiku, qoftë pozitivisht, qoftë negativisht, ajo i vlerëson të gjitha komentet konstruktive me bazë dhe është e kënaqur që përkrahësit e saj më shumë se kurrë i kanë dhënë mbështetje.

Tribuna: A ka diçka të re rreth angazhimeve të Dhuratës që do ta kishit bërë publike për media?
Korenica: Më së largu deri në fillim të qershorit do të publikohet i plotë albumi i Dhuratës i vet-titulluar “Dhurata”. Është një dhuratë për përkrahësit e saj që i kanë qëndruar besnik në këtë fillim të karrierës. Është albumi i saj i parë dhe vetëm fillimi i një karriere të jashtëzakonshme. Albumi nuk ka datë të lansimit, pasi vazhdimisht producentët dhe Menaxhmenti po inspirohen për ide të reja e projekte, dhe po ashtu do të publikohet në befasi, pa shumë bujë mediatike, pa shumë paralajmërime, do të jetë një befasi muzikore për të gjithë përkrahësit e Dhuratës. Pos tjerash, ajo e konfirmoi para pak kohësh se po vjen me një bashkëpunim me një femër, është një bashkëpunim unik, i cili do të jetë goditje e madhe në skenën muzikore shqiptare. Nuk do të mungojnë as projektet tjera. Së shpejti publikohet ‘coveri’ i albumit dhe traclista. Pra, ka shumë, shumë angazhime dhe plane, që do të ndodhin në një të ardhme të afërt. Shpresojmë se publiku do të ndahet i kënaqur./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button