Lamtumirë Tito!

Lamtumirë Tito! Nuk mundi ta fitonte betejën më të rëndësishme të jetës së tij, atë kundër kancerit që e shkëputi pak nga pak prej futbollit dhe familjes.

45-vjeçarin që la në mes një karrierë dhe fëmijët e tij e qan Barcelona por jo vetëm, e gjithë Katalonja por edhe gjithë bota e futbollit që e njohu, mësoi prej tij dhe e vlerësoi për ato cilësi që ai shfaqte në fushën e lojës dhe jashtë saj.

Ata që nuk e kishin dëgjuar asnjëherë emrin e tij, e mësuan në në 17 Gusht të vitit 2011 kur si zëvendës i Guardiolës ndodhej në stol për ndeshjen e dytë të Superkupës së Spanjës kundër Realit të Madridit. Ishte ai gjest i Jose Mourinhos në syrin e Titos që e bëri njërin prej njerëzve më mediatikë të futbollit spanjoll.

Pak orë më vonë, “Special One” u shfaq në konferencën për shtyp dhe e quajti “Pito”, një fjalë që merr kuptim negativ në gjuhën spanjolle. Mou kërkonte ta denigronte por saktësisht një vit më pas i kërkoi falje. Fati, por mbi të gjitha puna që ai bëri, i dhanë Vilanovas mundësinë që të ndryshonte historinë e jetës së tij. Ai nuk do të qëndronte përjetësisht në hije sepse me largimin e Guardiolas, shoqëria i besoi detyrën e trajnerit dhe në këtë mënyrë, nuk ishte më personi që njihej si njeriu anonim i ofenduar nga Mourinho. Në 22 nëntor të vitit 2011 Tito u operua në gjëndrat e veshit duke hequr një masë tumorale.

Ky është fillimi i një drame që fillimisht u mendua se mori fund në pranverën e vitit 2012 kur Barcelona e emëroi në postin e lënë bosh nga Guardiola. Ku qëndron sekreti i tij? Sekreti qëndron pikërisht në ekzistencën e tij sepse ishte pikërisht ai, Tito Vilanova që i krijoi dhe i poqi idetë e tij aty, në zemrën e futbollit katalanas, në kanterën e famshme, duke njohur çdo metër katror të saj përmendësh, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner. “Baba, ti nuk shkon të punosh por shkon të dëfrehesh”, i thoshte përherë djali Adria dhe Tito nuk e kundërshtoi asnjëherë.

Në vitet 80 ai ishte pjesë e bandës “Golafres” bashkë me Guardiolan, Jordi Rouran dhe Aureli Altimiran, me të cilët ndante topat por edhe paninet e proshutat. “Në La Masia jam dëfryer përherë sepse futbolli më ka dhënë më shumë se ajo që më ka marrë”, shprehej kohë më parë Tito. Gjithsesi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fatin e tij që sot, i ka dhënë shumë pak, thjesht mundësinë për të parë nga lart grupin e tij të bashkuar. Me Guardiolën ai ka punuar që në kohët e Barcelonës B në vitin 2007 kur thirrej “Markezi” pasi në dorë mbante përherë një xhaketë elegante, ndërsa kohë më vonë u shndërrua në një strateg. Ndihmoi Guardiolën drejt një rruge të gjatë suksesesh dhe më pas mori vetë në dorë timonin e anijes, duke e shpallur Barcelonën kampione pas një sezoni të çmendur që kishte bërë Reali i Mourinhos. Në 11 Maj, siguria matematike që e shpalli Barcelonën kampione, ndezi edhe festën në Katalonjë ku Tito ishte padyshim aktori kryesor.

Por hijet e zeza nuk u larguan asnjëherë prej tij sepse në 18 dhjetor të vitit 2012 ai u detyrua të largohej sërish nga Barcelona për t’u kuruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jordi Roura mori drejtimin e skuadrës që i dedikoi çdo gol duke kërkuar ta nxirrte përfundimisht nga ai kalvar i gjatë vuajtjesh. Një dashuri e pafundme që rrezatoi nga një det i madh adhuruesish nuk mjaftoi që ta detyronte kancerin të bënte një hap pas sepse ai u detyrua të largohej nga familja e tij e futbollit përfundimisht në datën 19 korrik. Një sinjal i qartë se diçka nuk po shkonte…Tito zgjodhi rrugën aq të vështirë për t’u pranuar. Një jetë e jetuar në maksimum, madje deri edhe në konfrontimin me shokun e tij më të mirë, Pep Guardiola, i cili akuzoi klubin se po e përdorte Vilanovan për ta afruar sërish në stol. Gjithsesi, pak muaj më vonë të dy bënë paqe ndërsa sëmundja vazhdoi të avanconte duke i lënë Titos si armë të vetmë në këtë luftë vetëm shpresën. Ai nuk mund të bënte më asgjë, thjesht të ngrinte sytë nga qielli për ta kërkuar Barcelonën e tij aty lart, sepse ndoshta diku në botën hyjnore ai do të zejë vendin e tij në skuadrën hyjnore. Djali i tij Adria nuk do ta harrojë asnjëherë shembullin e tij, duke shkuar çdo ditë në La Masian e famshme ku shpirti i Titos do të udhqejë me pasion brezat e ardhshëm./ Supersport/

Lajme të ngjashme

Back to top button