Fillimi i autostradës Prishtinë-Hani Elezit-Shkup, çështje ditësh

Ende nuk ka datë të saktë se kur do të nisin punimet në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, por burime të RTK-së brenda qeverisë konfirmojnë se është çështje ditësh nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese “Bechtel-Enka”.

Megjithatë, ekspertë të ekonomisë presin që qeveria të jetë më transparente gjatë ndërtimit të autostradës së dytë në vend.

Ekskavatorët e kompanisë `Bechtel-Enka`do të ndizen shumë shpejt. Janë ditët e fundit, para dhënies së dritës së gjelbër për të filluar ndërtimi i Rrugës 6.

Zyrtarët e Ministrisë së infrastrukturës nuk janë të gatshëm të flasin para kamerave se kur do të nënshkruhet marrëveshja me kompaninë Bechtel, por thonë se grupet punuese janë në finalizim të kontratës dhe se fillimi i ndërtimit të autostradës është çështje ditësh.

Se punimet në këtë autoudhë pritet të fillojnë shumë shpejt këtë po e konfirmon edhe kryeministri Hashim Thaçi gjatë vizitave të tij të shpeshta nëpër kompani kosovare. “Jemi në ditët finale të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, dhe tjetra do të shkoj në drejtim të Vitisë dhe Gjilanit”, ka thënë Thaçi.

Burime të RTK-së brenda Ministrisë së Infrastrukturës bëjnë me dije se vetëm disa ditë pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë fituese do të fillojnë punët. Këta zyrtarë thonë se me rastin e nënshkrimit të kontratës ajo do të bëhet publike në mënyrë që të mos lihet hapësirë për dyshime.

E eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, nuk i ka të qartë vonesat në ndërtimin e autostradës për Shkup. “Pa marr parasysh se është kosto e rëndë, Kosovës i është dashur kjo autostradë”, theksoi Ibrahim Rexhepi. Ai pret që kësaj radhe qeveritarët të jenë më transparentë, duke mësuar nga gabimet që kanë mundur të ndodhin me ndërtimin e Rrugës së Kombit. “Kjo do ta shpëtonte këtë ministri dhe qeveri që ta hap dokumentacionin, se ministri ka obligim të jap llogari dhe të tregoj se ku po i shpenzon parat para tatimpaguesve”, shtoi Rexhepi.

Autostrada Prishtinë-Han i Elezit është e dyta që bëhet në vitet e fundit në Kosovë. Autostrada e parë ka kushtuar mbi 800 milionë euro, ndërsa kjo që pritet të fillojë tani, ka një kosto prej 600 milionë eurosh.

Lajme të ngjashme

Back to top button