Kulturë: Premtohet me të madhe, realiteti i djeg projektet!

Partitë Politike shqiptare tani para zgjedhjeve po promovojnë dhe premtojnë realizimin e shumë projekteve në sferën e kulturës. Duke analizuar platformat e partive politike shqiptare dhe duke folur me kompetentë në këtë sferë shohim se shumica e premtimeve deri diku janë të panjohura për njerëzit e artit.

Premtohet me të madhe…

BDI në platformën e vitit 2014 ka një program të gjerë sa i përket investimeve në kulturë.

“BDI do të përkujdeset institucionalisht për vlerat e veçanta të trashëgimisë kulturore, do të inicon themelim ose bashkëthemelim të muzeve, të cilët do të prezantojnë trashëgiminë e të kaluarës së vendbanimit respektiv, si një kontribut për përmirësimin e memories kolektive, do të mbështesë organizimin dhe prezantimin e krijimtarisë tonë kulturore, si të asaj skenike,
figurative, muzikore, burimore si edhe atë argëtuese si dhe do të mbështetet afirmimin e artistëve të rinj dhe krijimtarisë së tyre nëpërmjet financimit të prezantimeve të tyre përkatëse me mjete të komunës”, thuhet në platformën e BDI-së duke shënuar dhe projekte konkrete për rinovim dhe ndërtim të objekteve kulturore.

Po ashtu edhe RDK ka projekte sa i përket fushës së kulturës.

“Do të punojmë për mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Do të edukojmë dhe nxisim pjesëmarrjen aktive të qytetarëve shqiptarë për gjallërimin e jetës 
kulturore. Kujdes të veçantë do të kemi për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe 
përparimin e kulturës shqiptare në këtë vend. Mbështetja institucionale e kulturës shqiptare do të ndihmonte në krijimin e vlerave dhe do të parandalonte inkulturimin (kyçjen në kulturën 
tjetër). Injoranca e elitave politike, arsimore, kulturore dhe OJQ-ve ka pamundësuar 
ekzistencën e tyre dhe të shoqërisë civile.  RDK do t? harxhojë një mund maksimal n? fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit t? vlerave kombëtare”, thuhet në platformën e RDK-së e cila gjithashtu ka dalë me projekte konkrete.

Kurse në programin e PDSH thuhet shkurt se do të bëhet themelimi i institucioneve në funksion të zhvillimit të vlerave kulturore shqiptare. 

Si është dhe si ka qenë realiteti?

Shkrimtari Xhabir Ahmeti shprehet se premtimet që thuhen dhe shkruhen shumica kalonjë të parealizuara. Ai thekson se në fushën e kulturës ka shumë ndarje etnike.

“Sa i përket projekteve në fushën e kulturës, ka shumë ndarje etnike. Kryeministri premton mbi dy mijë projekte për kulturën maqedonase, kurse sa i përket projekteve shqiptare, nuk ma merr mendja që do të realizohen. Deri më tani nuk kam dëgjuar që do të financohet nga shteti ndonjë manifestim apo që do të ndahet ndonjë çmim për artin dhe kulturën shqiptare, andaj vlerësoj se kultura shqipe financohet shumë pak në Maqedoni. Dua të them më shumë kultivohet kultura serbe, sesa jo shqiptare, për fat të keq. Ne si duket jemi popull jashtë institucional”, tha për Portalb.mk, Ahmeti.

Ai shtoi se Tetova, Gostivari dhe Kumanova nuk kanë fare teatrot shqiptar, ndërsa ai në Shkup është duke u rinovuar dhe nuk e dimë sa do të zgjasin punimet.

Historiani, Çlirim Dervishi bën të ditur se diskriminim i madh bëhet edhe nga Ministria e Kulturës, e cila nuk ndan mjete për ruajtjen e historisë kulturore shqiptare.

“Nga shteti nuk investohet fare, projektet maqedonase financohen me miliona euro kurse projektet tona financohen me 300 euro qesharake siç ishte rasti i jonë. Në pritje të realizimit të vendimit të miratuar nga kjo Ministri, na erdhi një margaritar i vërtetë: vendimi për akordimin e 18.000 denarë, me mundësi të uljes të kësaj vlere nëse bëhet ribalansi i buxhetit. Kështu na u kthye përgjigjja për financim që pranuam, lidhur me financimin e një projekti që Shoqata Etnokultura “Via Kandavia”-Strugë. Që në 19 prill të vitit 2002 në fshatin Livadhi të Strugës është hapur për vizitor, një koleksion muzeal që pasqyron vlerat e rralla kulturore, historike të shqiptarëve që kanë jetuar dhe jetojnë në trevat Lindore shqiptare, mirëpo ja shuma qesharake që ndahet për të”, tha për Portalb, Dervishi.

Ai tha se kishte edhe pesë projekte të cilat u hodhën poshtë, dhe apelon deri tek partitë politike shqiptare që të mos premtojnë gjëra që nuk ka gjasa t’i realizojnë.

Në mungesë të pronarit, Portalb foli me redaktorin e shtëpisë botuese Logos A, Zeqirija Ibrahimi i cili vlerëson se tashmë është botërisht e ditur se shteti ka qasje selektive ndaj kulturës në Maqedoni. 

“Për këtë ju mjafton të bëni një ecje në këmbë nëpër qendrën e Shkupit dhe krejt është e qartë. E, nëse u bie ta vizitoni Muzeun e Lirisë ose Teatrin e Ri, çdo koment i joni bëhet i panevojshëm. Shteti jep për kulturën shqiptare aq sa t’u thotë shqiptarëve se edhe për juve po ju jap diçka dhe aq sa të na thonë përfaqësuesit tanë se edhe ata po bëjnë diçka për ne, përveç që po marrin rroga. Në të vërtetë, kur krahasohen shumat, është qesharake dhe ironi e vërtetë të pranohet se shteti po e financuaka edhe kulturën shqiptare. Kultura shqiptare në Maqedoni është në gjendje të marrë atë që i jepet e jo atë që e meriton. Dhe, këtë e dinë mirëfilli të gjithë artistët, botuesit, aktorët e shkrimtarët. Por, ç’e do që politikanët tanë duan të na e krijojnë një botë virtuale se jemi mirë, porse nuk e kuptojmë. Prandaj shtrohet pyetja se a jetojmë ne në planetin e njëjtë. Sepse, nëse shteti nuk ia jep Shtëpisë Botuese “Logos-A” as 3000 euro në vit për tre libra, ndërsa Logosi i boton jo më pak se 40 libra, kjo flet seriozisht për atë se ku shkojnë paratë e qytetarëve shqiptarë për mbështetje të kulturës”, theksoi për Portalb Ibrahimi.

Ndërkaq nga ana tjetër, Bujar Luma nga Organizata Joqeveritare “Loja”, vlerëson se për ngecjen në kulturë si dhe në sferat tjera i kanë fajet vetë partitë të cilat zgjedhin njerëz jo kompetent të pozitat udhëheqëse.

“Partitë politike shqiptare tani para zgjedhjeve premtojnë shumë, mirëpo ato janë vetëm fjalë boshe. Nuk shoh lëvizje praktike e cila mund të sjell rezultat si dhe realizim të këtyre premtimeve që po bëhen. E vetmja gjë që ndoshta do të mund të realizohet është ndërtimi i ndonjë godine apo diçka e tillë, kurse kualiteti sërish do jetë zero. Përderisa në postet udhëheqëse në sferën e kulturës, nuk kanë lidhje me kulturë dhe janë aty fale librezave partiake, ne do të jemi gjithmonë mbrapa. Ne kemi probleme me veten e jo me të tjerët. Në poste drejtores kemi persona që nuk janë të vlefshëm as si vullnetarë”, tha për Portalb, Luma. 

 /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button