OEMVP përmbyll Karvanin me bizneset e Tetovës

Me takimin sot me bizneset e Tetovës, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore e përmbylli Karvanin e saj të gjashtë me rradhë, gjatë të cilit në periudhën Prill – Maj 2017 vizitoi bizneset në qytetet e ndryshme të Maqedonisë.

Këtë vit, siç thuhet në kumtesë,  karvani i Odës nisi në qytetin e Gostivarit dhe diskutuan për sfidat e shumta që paraqiten gjatë zhvillimit të një biznesi, duke shtuar se ambienti afarist në Maqedoni nuk krijon kushte të mira për biznes, dhe të gjitha pengesat që hasin bizneset , duke mos u shqyrtuar në kohë nga autoritetet kompetente dhe frekuentimi i shpeshtë i inspekcioneve nga institucionet e ndryshme, e bëjnë edhe më të vështirë funksionimin e tyre. Mungesa e kuadrove profesionale në veprimtari të ndryshme, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë është një ndër temat që u diskutua si problematike në rajonin e Shkupit, duke veçuar këtu mungesën e infrastrukturës dhe kushteve elementare në vendet rurale si pengesë për zhvillimin e bizneve të vogla, posaçërisht në pjesën e Vizbegut.

Pas Gostivarit, takimet vijuan në qytetin Kumanovës, Kërçovës, Strugës, Shkupit, Manastirit dhe Dibrës, dhe nga afër OEMVP u njoh me problemet me të cilat anëtarët e saj ballafaqohen gjatë punës. Në këto takime, para më shumë se 150 bizneseve u prezantuan aktivitetet e Odës, përfshirë këtu raportin vjetor 2016 dhe atë financiar, planin e aktiviteteve për vitik 2017, shërbimet të cilat Oda i ofron për anëtarët dhe publikimet e Odës, informatori ligjor Juris, ai ekonomik Economicus dhe informatori mbi mundësitë e ndryshme të financimit Dobia.

Në takimin e fundit në Dibër, pronarët e kompanive shprehën shqetësim për mungesën e një terminali doganor dhe mos ndërmarrja e aktiviteteve për ndërtimin e rrugës së Arbërit, mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore dhe procedurat administrative, duke theksuar këtu aplikimin selektiv të ligjeve. Problemet me deponitë e egra dhe me shërbimet që kanë të bëjnë me furnizimin me rrymë elektrike të objekteve afariste dhe procedurat e gjata burokratike në institucionet janë probleme që veçuan edhe bizneset e rajonit të Gostivarit dhe Tetovës.

Ajo për të cilën kompanitë e Kërçovës shprehën shqetësim është politika diskriminuese ndaj investitorëve vendas, ku favorizohen ato të huajt, duke përmendur edhe problemin aktual që kanë me ikjen e fuqisë së re punëtore jashtë vendit, problem ky i pranishëm edhe në rajonin e Manastirit, Strugës dhe Dibrës, gjë e cila ndikon edhe në stabilitetin e bizneseve të vogla, të cilat veç se e kanë të vështirë funksionimin duke marrë parasysh gjobat e mëdha nga ana e institucioneve shtetërore.

Në të gjitha takimet, OEMVP theksoi angazhimin e saj në përpjekjet e vazhdueshme për lehtësimin e klimës së biznesit dhe bashkë diskutuan idetë se si të rritet më tej bashkëpunimi dhe mbështetja për këto biznese.

Sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset janë të shumta, dhe nëse marrim parasysh edhe ambientin afarist në Maqedoni i cili nuk krijon kushte të mira për biznes, funksionimi i biznesit bëhet edhe më i vështirë. Oda synon të promovojë klimë pozitive të biznesit, duke mbrojtur interesat e tij në përgjithësi, me theks të veçantë në bizneset e reja dhe ato të udhëhequra nga gratë. Ndaj në këto takime, edhe Grupacioni i Grave Afariste ka prezantuar aktivitetet dhe planet e Grupacionit, si dhe mundësitë tjera të përforcimit të pozitës së gruas në biznes dhe përkrahjes së sipërmarrësisë së gruas në përgjithësi, duke cekur faktin se vetëm 5% e bizneseve shqiptare janë të udhëhequra nga gratë.

OEMVP këtë vit përmbylli Karvanin e saj në Tetovë, dhe do vazhdojë çdo vit të vizitojë anëtarët që të sheh nga afër problemet me të cilat ballafaqohen dhe mundësitë e ndryshme për të ndihmuar ato.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button