Koreja e Jugut zgjedh presidentin e ri
Rreth 42.5 milionë votues të regjistruar në Korenë e Jugut do të zgjedhin presindentin e ri të vendit në zgjedhjet e parakohshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Procesi zgjedhor ka filluar të enjten dhe sot në ora 20:00 sipas kohës lokale do të mbyllen 140.000 qendra votimi në të gjithë vendin.
Në garën zgjedhore marrin pjesë gjithsej 13 kandidatë për president dhe pritet pjesëmarrje e rreth 80 për qind të votuesve.
Sipas sondazheve të fundit favorit në zgjedhjet presidenciale në Korenë e Jugut është kandidati i Partisë Demokratike Moon Jae-in.
Zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Korenë e Jugut u shpallën pas shkarkimit të presidentes Park Geun-hye për shkak të abuzimit.
Si kreu i parë i shtetit i cili u shkarkua nga detyra për shkak të abuzimit, Park akuzohet se nëpërmjet këshilltares dhe miqve nga kompanitë e mëdha kanë marrë ryshfet në këmbim dhe u ka dhënë kompanive privilegje të caktuara.
Parlamenti i Koresë së Jugut, më 9 dhjetor të vitit të kaluar urdhëroi ngritjen e hetimeve kundër Presidentes Park, kurse Gjykata Kushtetuese më 10 mars mori vendimin për shkarkimin e saj nga posti i presidentit.
Presidenti i sapozgjedhur me mandat pesëvjeçar në Korenë e Jugut do të fillojë menjëherë detyrën pas publikimit të rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, për dallim nga praktika e zakonshme që funksionin të marrë dy muaj pas zgjedhjeve.