Kosovë, shtyhet “procedimi i Demarkacionit”

Shtyhet mbledhja e Qeverisë së Kosovës, në të cilën parashihej procedimi i ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e Republikës së Kosovës njoftoi opinionin publik se mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e paraparë të mbahet sot, është shtyrë për të mërkurën, në dakordim me parterët e koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe me përfaqësuesit e SHBA-ve.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën, ku në rend të ditës është votimi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim nga Zyra e Kryeministrit.

Qeveria e Kosovës sot kishte paraparë të mbante mbledhjen e saj nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa.

Në sallën e mbledhjeve të Qeverisë erdhën vetëm ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kurse ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk erdhën fare. Ministrat e LDK-së, pas rreth gjysmë ore pritjeje lëshuan sallën e mbledhjes.

Ndërkaq, mësojmë se aty nuk ishte i pranishëm as kryeministri i Kosovës dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ndodhej në një takim me kryetarin e Kuvendit dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

Në anën tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, duke lëshuar sallën tha se procedimi i projektligjit të demarkacionit është shtyrë për të mërkurën. Kurse po të njëjtën ditë do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pika e vetme e rendit të ditës është votimi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Kurse sot, partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar se do të organizojnë protestë popullore në rast se marrëveshja për demarkacionin do të parashtrohet në Kuvend.

Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët opozitarë kishin kundërshtuar dhunshëm, me gaz lotsjellës dhe me protesta këtë marrëveshje, sipas të cilëve me këtë Kosova do të humbasë mbi 8 mijë hektarë tokë.

Ndërsa kundër saj ishin edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës dhe deputetët e Listës Serbe dhe kjo ka rezultuar në mosarritjen e votave të nevojshme për miratimin e marrëveshjes, e cila kërkon 80 vota. Marrëveshja ishte parashtruar në Kuvend në datën 1 shtator të vitit 2016, por ishte tërhequr nga rendi i ditës nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button