Serbët mësojnë shqip në Beograd

Serbia dhe Kosova para një viti e kanë nënshkruar marrëveshjen e normalizimit të raportove ndërmjet dy vendeve. Serbët dhe shqiptarët i lidhin shumë gjëra, kurse të mësuarit e gjuhës mund t’i afroj dy popujt. Shqiptarë e serbë duhet të jetojnë bashkë në Kosovë. Pavarësisht të gjithave, ata duhet të ndajnë të njëjtin shtet. Por, pengesë mbetet gjuha.

Derisa gjeneratat e vjetra nga pala shqiptare nuk e kanë aq shumë këtë problem, për gjeneratat e reja ky është një telash që tash për tash është vështirë i kalueshëm.

Ndërkohë që situata ka ndryshuar, e tash serbët janë pakicë, por shumë pak është bërë përpjekje nga ana e tyre që edhe ata ta mësojnë gjuhën shqipe.

Megjithëkëtë, diçka ka nisur të lëvizë edhe në këtë drejtim, ndonëse shumë ngadalë e shpesh edhe pavërejtshëm.

Gjeneratat e reja kanë nisur të heqin këtë kompleks e të studiojnë gjuhët ballkanike.

Damjan Filipovic (22) studion albanologji në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Ai ka deklaruar për Deutsche Welle se familja e tij kishte reaguar kur kuptoi për këtë vendim të tij të para tre vjetëve. Por ka thënë se rezistencë kundër dëshirës së tij, brenda familjarëve nuk kishte pasur.

Por habia më e madhe atij i erdhi nga shokët të cilët tundnin kokën pa e kuptuar se ç’e shtynte atë t’i rrekej për të mësuar një gjuhe si shqipja.

“Sigurisht që shokët e mi kishin paragjykime, por shumica e tyre sot mendojnë ndryshe”, thotë Damjani.

Por, ai thotë se vendimi i tij ishte i qartë. “Isha shumë i interesuar për popullin shqiptar, sepse në vendin tim ne nuk dimë shumë edhe pse jetojmë bashkë tashmë disa shekuj”, thotë ai.

“Gjithashtu e dija që gjuha shqipe është gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoevropiane e nuk është pjesë e një grupi të madh, siç është me gjuhët e tjera të mëdha”, ka shpjeguar ky serb i ri. “Motivacioni im ishte edhe interesimi edhe fakti që në Serbi pak njerëz flasin këtë gjuhë”.

Sidoqoftë, kjo është një situatë e njohur prej kohësh, e cila po ndryshon ngadalë.

Profesorët thonë se janë pikërisht studentët që po i sjellin shenjat e para të ndryshimit.

Profesoresha Persida Asllani nga Universiteti i Tiranës, e cila jep mësim në katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit, thotë se këtë vit është vërejtur rritja e numrit të studentëve.

“Kemi gati dyfishimin e studentëve që duan të mësojnë shqip, madje ata vijnë edhe nga fakultetet e tjera, pasi universiteti po e ofron shqipen tani si degë të dytë brenda studimeve”, thotë Asllani.

“Krahas 40 studentëve të regjistruar nga viti i parë në të katërtin, mund të themi që këtë vit kanë ardhur 40-60 studentë të rinj”.

Ajo ka deklaruar se shifra 40 apo 60 studentë nuk duket shifër e madhe për një degë universitare, por përballë sfondit historik shqiptaro-serb, ky numër fiton peshë kontribuuese në mirëkuptimin shqiptaro-serb.

Vetë profesoresha Persida Asllani ka deklaruar se ishte kurioze të njohë arsyet që i bëjnë këta studentë të zgjedhin shqipen si gjuhë për të studiuar.

“Ka studentë që mësojnë shqip për shkak të interesit linguistik, pra ata që duan të bëhen ballkanologë. Të tjerë kanë ardhur, sepse vetëm për këtë degë kanë marrë të drejtën e studimit”, thotë ajo.

“Pas heqjes së dyzimeve të para, ne vëmë re që ata e zbulojnë gjuhën dhe janë po aq aktivë sa të tjerët. Disa madje më kanë thënë se kanë zgjedhur shqipen edhe për shanset e mëvonshme”, rrëfen profesoresha. “Për disa vende pune në administratën lokale apo qendrore, në hapësirat e shkëmbimit, tregti, kulturë, njohja e shqipes duket se është një plus në aplikim.” /DW/

Lajme të ngjashme

Back to top button