Dhjetëra fshatra të vërshuara në Podujevë (Foto)

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa fshatra të Komunës së Podujevës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Përveç ekipeve emergjente që vazhdimisht janë në terren, zonat e goditura nga vërshimet i ka vizituar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Disa fshatra të Komunës së Podujevës janë vërshuar nga lumenjtë që kanë dalë nga shtrati i tyre si pasojë e rritjes së nivelit të ujit nga reshjet e pandërprera të shiut.

Për të menaxhuar situatën dhe për t’iu ofruar ndihmë banorëve të zonave të goditura nga vërshimet, që në orët e para të mëngjesit në terren kanë dalë ekipet emergjente të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, policisë dhe ekipi emergjent nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit e Komunës së Podujevës (DSHPMSH).

“Gjendja më e rëndë paraqitet në fshatin Repë, ku janë rrënuar dy ura dhe si pasojë e digës së ndërtuar në shtratin e lumit është ngritur niveli i ujit duke rrezikuar edhe shtëpitë përreth. Falë angazhimit të ekipeve emergjente, me eskavatorë janë larguar mbeturinat dhe deri diku është mënjanuar rreziku nga ngritja e mëtejme e nivelit të ujit në këtë fshat”, tha kryetari Veliu.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi, tha se si pasojë e daljes së lumit Llap nga shtrati, në fshatin Repë janë rrënuar dy ura mbi lumë, kurse uji ka depërtuar edhe në oborret e disa shtëpive.

“Edhe në lagjen ‘Shala’ në Metehi uji ka depërtuar në oborre të shtëpive. Fatmirësisht nuk janë regjistruar dëme në njerëz apo në objekte të banimit. Në Sekiraçë është intervenuar në mënjanimin e mbeturinave në lumë, të cilat kanë ngritur nivelin e ujit”, tha drejtori Muçiqi.

Vërshime të tokave bujqësore ka edhe në fshatrat e tjera përgjatë lumit Llap, në Dobërdol, Bajçinë, Gllamnik, Sekiraqë, Siboc, Llugë, Lupç, Edhe lumi Dumnica ka shkaktuar vërshime në Dumnicë të Poshtme, Shtedim, Balloc, Surkish dhe Sfeqël. Vërshime ka edhe në fshatrat përgjatë lumit në Halabak, Tërnavë dhe Bellopojë.

Në fshatin Bellopojë vërshimet kanë rrezikuar disa shtëpi në Lagjen e Malokëve, kurse ekipet emergjente kanë ofruar evakuimin e banorëve, por ata kanë refuzuar të braktisin shtëpitë e tyre.

Muçiqi tha se në terren janë ekipet emergjente me katër eskavatorë.

“Është intervenuar në Miroc, Shtedim dhe Sekiraqë për debllokimin e shtratit të lumit nga mbeturinat”, tha ai, duke potencuar se fatmirësisht vërshimet nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz dhe në objekte të banimit. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button