Si rrjedh dita zgjedhore e aktivistëve të një partie?

Një muaj para ditës së votimit, aktivistët më aktivë të një partie, kanë obligim të dorëzojnë listë me votues të sigurt. Pas kalimit të afatit, i cili jepet nga ana e komitetit komunal, të gjitha listat azhurohen dhe filtrohen. Kështu formohet pasqyra e tërësishme se me sa vota të sigurta disponon partia, shkruan CIVIL.

Ditën e zgjedhjeve, të gjithë aktivistët më të spikatur kanë për detyrë të gjithë njerëzit të cilët i kanë regjistruar në listat e veta, t’i detyrojnë të votojnë deri në ora 10, ose më së voni, deri në ora 13. Ndërkohë, paralelisht, në vetë vendvotimet, njerëzit të cilët shkojnë ta japin votën e vet, evidentohen me emër dhe mbiemër.

Apo, në mënyrë më përshkruese: votuesi hyn në vendvotim, e jep letërnjoftimin për kontroll. Në atë vend gjithmonë qendron njeri i partisë. Personi i cili e pranon letërnjoftimin, e lexon emrin dhe mbiemrin me zë dhe pastaj kërkon falje. E di se nuk guxon ta bëjë këtë. Pastaj, kontrolluesi, i cili është pjesë e mbikëqyrësve, e regjistron. Në çdo 30 minuta, kontrolluesi del nga vendvotimi dhe listën me njerëzit e evidentuar ia dorëzon personit tjetër, aktivistit partiak. Aktivisti listën e dërgon deri te shtëpia, shtabi apo automjeti më i afërt, ku ka aktivistë të tjerë, të cilët e kanë listën zgjedhore të tërë dhe bëjnë evidentimin. Kjo procedurë bëhet deri në ora 13. Në ora 13, personat të cilët kanë bërë evidencën se kush ka dalë të votojë, bëjnë raport, të cilin e dorëzojnë në shtabin qendror.

Në shtabin qendror bëhet përpunimi i të dhënave, për të parë se sa nga votuesit e sigurt kanë dalë të votojnë. Për të patur një pasqyrë të vërtetë dhe rezultat të saktë deri në atë çast. Nëse rezultati nga përpunimi i informatave nuk është në të mirë të partisë, atëherë pason mekanizmi i kontaktimit dhe evidentimit të njerëzve të listave paraprake. Pasojnë kërcënime me telefon. Nëse edhe ky mekanizëm nuk jep rezultat, atëherë njerëzit nxirren nga shtëpia. Aktivistët shkojnë tek ata të cilët nuk kanë dalë të votojnë dhe i bindin ta bëjnë këtë. Bindjet bëhen me kërcënime, të holla dhe të mira materiale të tjera. 

Lajme të ngjashme

Back to top button