Sezoni turistik veror në Shqipëri, ja plani i Qeverisë

Është krijuar Task-Forca e Menaxhimit Turistik, qëllimi i të cilës është ndjekja dhe monitorimi i zbatimit të planit të masave për sezonin turistik. Prezantimi i kësaj task-force u bë gjatë një konference të zhvilluar në Durrës nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. 

Task-Forca e Menaxhimit Turistik është ngritur me urdhër të kryeministrit, dhe në të përfshihen një numër i madh dikasteresh dhe institucionesh ne vend. “Për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm, është ngritur me urdhër të kryeministrit Task – Forca e Menaxhimit Turistik Veror, që drejtohet nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, dhe që do të ndjekë zbatimin e një plani të detajuar masash për sezonin turistik”, – deklaroi ministrja Gjermeni. 

Masat në fjalë do të mundësojnë rritjen e cilësisë së turizmit, duke siguruar zbatimin e pikave të mëposhtme. E parë është përmirësimi i standardeve dhe ofrimi i kushteve në drejtim të pastrimit të territorit, akseve nacionale dhe rrugëve dytësore. E dyta është përmirësimi i sigurisë rrugore dhe lëvizja e lirë e qytetarëve dhe grupeve turistike duke garantuar rendin dhe qetësinë publike si dhe sigurinë në ujërat e brendshme. Dhe e treta është dezinsektimi i zonave bregdetare dhe garantimi i higjienës maksimale në këto zona. 

Task-Forca e Menaxhimit Turistik është ngritur me urdhër të kryeministrit, dhe në të përfshihen një numër i madh dikasteresh dhe institucionesh ne vend.

Plazhet 

Gjatë konferencës së prezantimit të masave, ministrja Gjermeni foli edhe për Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit”, sipas të cilës për herë të parë pushuesit që do të zgjidhin zonat turistike bregdetare do të kenë në dispozicion të tyre stacione plazhi. Gjithashtu, me rastin e hapjes së sezonit turistik, ministrja Gjermeni bëri të ditur se dikasteri, që ajo drejton, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, do organizojnë aktivitete promovuese në Durrës, Vlorë, Sarandë, Pogradec dhe Shën Gjin. Për më tepër, këtë vit, në 5 plazhe pilote do të realizohet vendosja e kullave të vrojtimit, për të rritur sigurinë e pushuesve, si edhe do të ristrukturohen pikat e informacionit turistik në Portin e Durrësit dhe në Aeroportin “Nënë Tereza”. Stacionet Në VKM-në nr. 358 01/06/2012 “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit” është shtuar Shtojca B, e cila shpjegon te gjitha dispozitat, për sa i përket stacioneve të plazheve. Gjithashtu, sipas ndryshimeve të kryera në këtë VKM, çdo njësi e qeverisjes vendore, do të lërë në dispozicion për “Plazh Publik”, 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim. 

Kriteret që duhet të përmbushen për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit janë si më poshtë: 

• Të ketë hapësira të gjelbra ose zona të përbashkëta, të cilat të jenë të paktën 1% deri në 5% e sipërfaqes së përgjithshme të stacionit të plazhit. 

• Çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të vendosen jo më afër se 7.5 m nga bregu. 

• Hapësira prej 2,5 m përpara brezit të parë të çadrave, do të jetë e lirë për tu përdorur nga publiku me pajisjet e veta.

• Hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) në stacionet e pozicionuara në zonat ranore duhet të jetë më e madhe se 2,5 m.

• Hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) në stacionet në zona shkëmbore duhet të jetë më e madhe se 2 m. 

• Të ketë 1 dushe me ujë të ëmbël për çdo 50 çadra. 

• Të jetë e pajisur me shërbime higjienike, të paktën 2 për 50 çadra, nga të cilat 1 për burra 1 për gra.

• Të ketë kabina zhveshjeje të paktën 2 për 50 çadra. 

• Të jetë i pajisur me zonën e ndihmës së shpejtë në shërbim të pushuesve. • Të jetë i pajisur me telefon publik. 

• Të jetë i pajisur me kontejnerë dhe kosha me kapak për hedhjen e mbeturinave. 

• Çdo çadër duhet të jetë e pajisur me krevat plazhi. 

• Të reklamohet identiteti i subjektit dhe çmimet për shërbimin e ofruar. 

• Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese. 

• Të zbatojë kodin e etikës globale në fushën e turizmit. 

• Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit do të jetë ditor , në mëngjes dhe në mbrëmje pas mbylljes së plazhit. 

• Në të gjithë territorin e plazhit, ndalohet vendosja e elementëve ndarës, gardhe apo të tjerë të ngjashëm me to. 

Imazhi i turizmit 

Në kudër të tërheqjes së një numri të madh turistësh në Shqipëri, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka shpallur konkursin për promovimin e turizmit shqiptar me një identitet dhe slogan, që i përshtatet vendit tonë, që do të jenë gati muajin e ardhshëm. “Në datën 16 Maj ne do të kemi logon dhe sloganin e ri për të promovuar identitetin tonë kombëtar, si një destinacion turistik dhe një mjedis të përshtatshëm për investimet e huaja”, – deklaroi ministrja Gjermeni./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button