Ilir Meta: Sot në mbrëmje heq dorë nga posti i kryetarit të LSI-së

Ilir Meta, presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë, por që ende mban detyrën e kryetarit të Kuvendit, në një konferencë për shtyp, deklaroi se nga mbrëmja e sotme heq dorë nga posti i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI).

“Edhe pse mund të vijoj të jem kryetar i LSI-së deri më 23 korrik kam vendosur që sot në mbrëmje, pas përfundimt të listave të kandidatëve, për deputetë nga kryesia e LSI-së, të heq dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese të LSI-së. Kështu në listën e partive që do të publikohen nga KQZ për qytetarët shqiptarë në krah të LSI-së nuk do te jetë emri i Ilir Metës, por do jetë emri i Petrit Vasilit, si zv/kryetar dhe që sipas statutit merr drejtimin e kësaj force politike për të cilin, do shprehet dhe Komiteti Drejtues i LSI-së dhe me votim edhe Konventa Kombëtare, brenda javës së ardhshme”, deklaroi Meta nga Kryesia e Kuvendit.

Siç transmeton ATSH, ai përsëriti gatishmërinë e tij për arritjen e një marrëveshje me opozitën, duke u takuar, madje që nesër, me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Meta tha se, po ashtu ai do të takohet dhe me, “çdo faktor tjetër politik në vend që të krijojmë një klimë besimi, normaliteti e paqeje, pasi po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe ato duhet të jenë një festë e demokracisë dhe jo e pasigurisë”.

“Nga nesër jam i angazhuar të takohem me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe çdo përfaqësues të opozitës. Do të bëj çdo përpjekje që të evitojmë një përkeqësim të situatës politike në vend dhe të krijojmë një klimë konstruktive për të cilën kanë nevojë zgjedhjet”, deklaroi Meta.

Meta tha se, në ditë që vijnë do të forcojë bashkëpunimin me Presidentin Nishanin, por dhe nëse do të jetë e nevojshme për të biseduar dhe me ish-Presidentët e vendit apo ish-kryetarët e Kuvendit për të kërkuar eksperiencën dhe kontributin e të gjithëve që të krijojmë një klimë besimi”, tha Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button