Qasje poetike për poezinë Poradeci

OPTIKA E DHEUT DHE THELBI POETIK I PORADECIT

Optika e dheut në poezinë e Lasgush Poradecit nuk është vetëm orvatje që vargu i tij të jetë i përsosur vetëm në pikëpamje të metrikës e ritmit, por në poezinë e këtij ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe optika e mbrendshme estetike. “…Jam i bindur se gjithkush e ka vënë re ose mund ta vërë re se për figurën e njeriut në përgjithësi dhe fytyrën e tij në veçanti, ndriçimi nga lart është më i dobishëm dhe ai nga poshtë më i papërshtatshëm, ndërsa për pejsazhin natyror ndodh pikërisht e kundërta. Sa estetike është natyra…”(Arthur Schopenhauer, Metafizika e dashurisë) Këtë e vërejmë në vjershat PORADECI, MËNGJES, KORRIK, MBARIM VJESHTE, DIMËR, GJAHTORI në VALLJA E DHERIT dhe DREMIT LIQERI, ZEMRA E LIQERIT në ZEMRA E DHERIT, në të cilën shfaqet impresioni, pikturimi, preukupimi i një imagjinate vizuele e qytetit të Pogradecit e cila është karakteristikë themelore.

Perëndim përmi qytezë: Mbretëroj dhe moti pas.

Po përhapet dal-nga-dal një pluhurë si një hije.

Nëpër Mal e nër Lëndina fryn një këngë fshehtësije:

Frym e natës shqipëtare tej-për-tej po rreh me gas…

Pas vargjeve të lexuara duket sikur diçka na nxitë në të pamurit, na duket sikur një ekran poetik që na tërheq dhe na bën për të humbur durimin. Këto vargje sikur kurrsesi, nuk përpiqen të na ndihmojnë për të kuptuar përmbajtjen e tij, na duket sikur dëshiron të na tregojë diçka dhe që ne ta kuptojmë, na duket sikur të ketë pasur për qëllim të na tregonte diçka që ia vlen, “Nëpër Mal e nër Lendina fryn një këngë fshehtësije”.

Po kjo këngë fshehtësie mos është këngë e përparshme pleqërishte, apo kënga e trishtë: “Si breshër i thërrmuar…si lot i përvëluar”. Sikur poeti na bën me dije se vepra e artit për qytetin e tij të lindjes është zhveshur nga çdo gjë e dobishme.

E kudo krahin’ e gjerë më s’po qit as pipëlim:

Në Katund kërcet një portë…në Liqer një lopatë…

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë-

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

“Krahin’e gjerë” e kapluar me një mërzitje, ku vetëm përkohësisht dëgjohet zhurma e “portës”, dhe e “lopatës”, që mbartin ulërimën ogurzezë të “arratisjes së shqiponjës në Mal të Thatë” shkaku i motit të pluhurosur si hije; na duket si melodi vagneriane të pambaruar, të njëjtën kohë është një përsëritje e filluar apo e humbur prej shekujsh. Mirëpo poeti në kundërshtim me shumanëshmërinë e tij të mahnitshme, ec pas një melodie të caktuar. Nuk mund të përjashtohet që poetit përgjithësisht nuk i vjen për shtati kurrfarë zhurme e pakuptimtë melodie, mirëpo fjala është se poeti, nuk mund t’ia dalë pa këtë zhurmë melodike, sepse këto zhurma siç janë: “kërcet një portë” në Katund, “bje një lopatë” në Liqer, zëri i “fluturimit në Mal të Thatë” i shqiponjës, duken si pamje skeletesh i asaj gjithçkaje çfarë ndodh në jetën shoqërore-shpirtërore shqiptare të kësaj “Krahin'”.

Natyrisht se poetit më shumë i intereson ana estetike, po a mund poezia të mos ketë përmbajtje, të mos pasqyrojë diçka?

Mos vallë poeti sipas dy vargjeve të fundit: “Një shqiponjë e arratisur fluturon në mal të thatë/Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im”, ka pasqyruar veten, sepse pikërisht për këtë shkak në këto vargje ndihet një vetmi e sinqertë, pasi ndodh një veprim që s’ka nevojë për dëshmitarë, sepse del në shesh një mungesë që i bëhet lexuesit të ndërgjegjshëm që të humbasē durimin.

Tërë fisi, tërë jeta ra…u dogj…e zuri gjumi…

Zotëroj në katër anë errësira…

Çdo gjë paraqitet si diçka e pafrymë: “Tërë fisi ra, tërë jeta ra”, në vend të gjakut të nxehtë rinor, çdo gjë u “dergj…e zuri gjumi”, kudo kullon njëlloj gjaku i ftohtë sepse “Zotëron në katër anë errësira”, duket se të gjitha ngjarjet e ndjekin njëra tjetrën të mbyllura në një farë egoizmi të akullt, të duket si një dramë me tragjedi të vogla. Në çdo çast këtu s’mund të ndjesh asgjë që ta dojë zemra, asgjë që mund të ta freskojë shpirtin apo shpresën. Ndodhitë, përkundrazi, mund t’i përcaktosh si diçka të zymtë, të frikshme, të llahtarshme, patetike, tragjike dhe ironike. Gjithçka këtu përfaqëson në vetvete një përjetim të anës së prapme të jetës, anë aq e çregullt, saqë themelin melodik që lidh ngjarjet je i detyruar ta kërkosh me xham zmadhues.

“Po tash” ku është shpresa, shpētimi dhe gjallëria e poetiti?

Shpresa e gjithë kësaj drame është rrugëtimi i “Drinit plak” mes-për-mes Shqipērisë i cili që me kohë “mburon prej Shëndaumi”.

Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-pēr-mes nër Shqipēri,

Drini plak e i përmallshëm po mburon prej Shëndaumit…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button