Erdogan komenton sjelljen e Rusisë ndaj Sirisë

Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan kërkoi nga Rusia që të rishikojë mbështetjen ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, pas sulmit me armë kimike ndaj civilëve në Idlib dhe sulmin e SHBA-ve në bazën ushtarake siriane në Homs, raporton Anadolu Agency (AA).

“Shpresojmë se kjo nuk do të mbetet vetëm në kuadrin e reagimit të SHBA-ve, por edhe Rusia do të përfshihet në të. Të paktën të ndërpresin mbështetjen ndaj Asadit”, tha Erdoğan në një deklaratë të cilën e bëri për mediat turke në lidhje me krimin në Khan Shaykhun.

Duke shprehur kënaqësinë me deklaratat e fundit të zyrtarëve rusë të cilët thanë se mbështetja ndaj Asadit “nuk është e pakufishme”, Erdoğan ka thënë se është koha që të përshpejtohet procesi i zgjidhjes së krizës siriane dhe dhënia fund të keqes.

“Nuk ka dyshim se Siria ka armë kimike dhe tashmë është mjaft e qartë se cilët avionë kanë hedhur këto bomba. Këtë e konfirmojnë edhe raportet e radarit”, tha Erdoğan.

Përdorimi i gazit nervor në sulmin me bombë në provincën Idlib u konfirmua edhe nga autopsia e trupave të viktimave që janë transportuar në Turqi, kurse në autopsi të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilët konfirmuan gjetjet.

“Pavarësisht nga fakti nëse janë përdorur armë të ndaluara kimike apo jo, në Siri janë vrarë gati një milion njerëz dhe bota duhet të veprojë për të ndaluar gjakderdhjen dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm”, tha Erdoğan.

Duke theksuar nevojën e inicimit të procesit të tranzicionit politik, Erdoğan tha se është koha që të bëhen hapa konkrete në drejtim të demokratizimit të Sirisë.

Ai gjithashtu tha se procesi i paqes në Astana, paralelisht me atë në Gjenevë, është kthyer në drejtim pozitiv drejt arritjes së marrëveshjes politike, por mbi të gjitha ajo nuk solli marrëveshjen e dëshiruar.

Si përgjigje të sulmit me armë kimike të javës së kaluar në të cilën jetën humbën të paktën 100 persona dhe u plagosën mbi 500 të tjerë, ushtria amerikane të premten me 59 raketa goditi bazën ajrore të ushtrisë siriane në Homs.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button