Reagime të mediave për sulmin amerikan në Siri

SHBA-ja tregoi ndryshim drastik të kursit të saj, vlerëson gazeta parisiane “Mond” në komentin për sulmet e mbrëmshme amerikane ndaj bazës ajrore siriane në Homs.

Presidenti amerikan, Donald Tramp paraprakisht deklaroi se SHBA-ja “duhet të zgjedh se në cilat beteja do të marrë pjesë”, por pamjet prej sulmeve me armë kimike më 4 prill ndryshuan gjithçka, thekson gazeta.

“Ky ishte reagim i papritur, pasi që pas sulmit me armë kimike në gusht të vitit 2016, Tramp e paralajmëroi ish-presidentin Barak Obama që të mos përzihet në Siri, edhe pse gjatë këtij sulmi pati më shumë viktima se të martën”, shton “Mond”.

Gazeta potencoi se Tramp që në fushatën parazgjedhore, por edhe pas ndërmarrjes së detyrës presidenciale potencoi se prioritet i SHBA-së më nuk është ndërrimi i regjimit në Siri.

“Aksioni amerikan, me sulm të kufizuar ndaj vetëm një baze ushtarake, duket ka për qëllim të dërgojë mesazh deri tek presidenti sirian Bashar Asad se Trampi është i vendosur t’i respektojë ‘linjat e kuqe'”, konstaton “Mond”.

Aktivisti sirian, Kusaj Zakaria në një deklaratë për “Telegrafin” londinez thekson se nëse Tramp nuk e urdhëronte sulmin e mbrëmshëm, “regjimi i Asadit” do të kryente masakër në Idlib, i cili është një prej strehimoreve të fundit të kryengritësve në Siri.

“Me sulmin (kimik) regjimi tentoi që t’ju ndjell frikë kundërshtarëve dhe t’i detyrojë ta braktisin vendin”, vlerëson Zakaria.

“Telegraf” e transmeton edhe deklaratën e sekretarit shtetëror amerikan Reks Tilerson se “sulmi i sotëm nuk do të thotë se SHBA-ja përzihet në luftën siriane”.

“Ai vetëm qartë tregoi se presidenti (Tramp) është i gatshëm të ndërmarrë veprime vendimmarrëse, kur është e nevojshme një gjë e tillë dhe mendoj se në këtë rast përdorimi i armëve të ndaluara kimike me të cilën u shkelën një sërë normash ndërkombëtare dhe marrëveshje në fuqi, duhet të marrë përgjigje përkatëse”, porositi Tilerson, duke shtuar se megjithatë politika e SHBA-së ndaj Sirisë mbetet e pandryshuar.

Një i dërguar special i SHBA-së në koalicionin ndërkombëtar i përfshirë në operacione ajrore kundër grupit Shteti Islamik (SHI), Xhon Alan në deklaratën për “Telegraf” thotë se qëllimi i sulmit amerikan ka qenë të dënohet Asadi, dhe jo ai të fitohet dhe ky aksion nuk do t’i prish marrëdhëniet e Uashingtonit me Rusinë.

“Për Asadin dëmet prej sulmit më shumë janë psikologjike. Tani ai duhet me kujdes të mendojë për çdo hap të radhës”, shton Alan.

“Nju-Jork Tajms” vlerëson se shpejtësia me të cilën reagoi Administrata e Trampit për sulmin kimik të martën, ka pasur për qëllim të arrijë efekt të befasisë.

“Kjo gjegjësisht është në kundërshtim me qasjen metodiste të përdorimit të fuqisë prej Administratës paraprake. Ky është urdhri më i rëndësishëm i Trampit për përdorimin e fuqisë, i cili ka për qëllim t’i dërgojë mesazh Koresë së Veriut, Iranit dhe kundërshtarëve të tjerë potencial se komandanti i ri suprem i SHBA-së është i gatshëm të veprojë”, konstaton “Nju-Jork Tajms”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button