“Idiotët e dobishëm” të Putinit

Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, ku hyjnë etnitë dhe fetë tjera, imigrantët, BE, NATO dhe Sorosi, janë retorikë e përbashkët e të gjitha grupacioneve pro-ruse në Europë, këtyre “idiotëve të dobishëm” të Putinit

Në kohën e komunizmit një vend të posaçëm në propagandën dhe politikën e jashtme sovjetike zinin të ashtuquajturit “idiotë të dobishëm”. Termi, i cili i atributohet Leninit, përshkruante grupacione të ndryshme që për qëllimet e tyre mbështeteshin te sovjetët, por në të vërtetë ju shërbenin ekskluzivisht qëllimeve të Moskës. Gjatë Luftës së Ftohtë termi u bë sinonim me partitë komuniste të Europës Perëndimore. Në këtë periudhë Moska veçmë e kishte të qartë se komunistët nuk do vinin kurrë në pushtet në Perëndim, por iluzioni për revolucion proletar global duhej mbajtur gjallë. Nën këtë pretekst sovjetët vazhdonin të mbështesin komunistët anembanë Europës, por në realitet i përdornin këto parti si kolonë të pestë brenda Perëndimit. Ata ishin “idiotë” sepse akoma besonin te revolucioni proletar, por “të dobishëm” sepse mund të shfrytëzoheshin për qëllime tjera të Moskës.

Me rrënien e Bashkimit Sovjetik, Moska nuk kishte më vullnet, as kapacitet, për të mbështetur këta “idiotë”. Por pas rimëkëmbjes së brendshme të shtetit rus, kur filloi të ndjehet më i sigurtë në pushtetin e tij, Vladimir Putin ju kthye skenës botërore me shpresën se do të rikthejë pozitën e dikurshme globale të Bashkimit Sovjetik. Ndër të tjera Moska kërkoi dhe rigjeti një tufë të re “idiotësh të dobishëm” që do të luanin rolin e komunistëve të dikurshëm të Perëndimit.

Bashkimi Sovjetik ishte perandori e ndërtuar mbi baza të një ideologjie të qartë, asaj komuniste. Tek komunistët europianë pra ai kishtë aleatë të natyrshëm, sado të paktë që ishin në numër. Putini ndërkaq e kishte më të vështirë. Rusia e sotme nuk ka ndonjë ideologji zyrtare; sado iliberale, ajo politikisht vazhdon të thirret në demokraci dhe ekonomikisht te parimet e tregut të lirë. Si e tillë ajo në Perëndim nuk kishte aleanca të natyrshme të ndërtuara në baza ideologjike.

Gjithçka ndryshoi me krizën financiare të vitit 2008. Ajo lëkundi në themel besimin te efikasiteti i sistemit politik dhe ekonomik perëndimor dhe vuri në dyshim vlerat e tij universale. Kriza u shoqërua me ngritjen e lëvizjeve populiste, njëlloj antagoniste ndaj të majtës dhe të djathtës centriste perëndimore. Te kundërvënia ndaj sistemit perëndimor të demokracisë liberale këto lëvizje gjetën pikën e përbashkët me Putinin. Kështu ai përnjëherë gjeti grupacione të pjekura për të rikrijuar relacionin Moskë – “idiotë të dobishëm”. Në këtë relacion Rusia ju jep këtyre grupeve mbështetje me para dhe propagandë politike, ndërsa “idiotët” godasin sistemin e vlerave perëndimore, posaçërisht duke tentuar të rrënojnë shtyllat e tij institucionale BE dhe NATO, halë në sy të putinizmit.

Pikërisht antagonizmi ndaj BE dhe NATO është pika e parë e përbashkët ku këto grupacione të shpërndara takohen në rrafshin politik. Më tej ato kanë të përbashkët shfrytëzimin e ndjenjave të thella nacionaliste, duke iu kundërvënë koncepteve multietnike dhe multikonfesionale të shoqërive moderne europiane. Në këtë frymë ato nuk ngurrojnë të kalojnë në politika raciste, të drejtuara posaçërisht kundër imigrantëve dhe pakicave etnike e fetare në vendet e tyre. Në rrafshin ekonomik këto qëndrime përkthehen në politika protekcioniste, pra kufizim të tregtisë me jashtë dhe përforcim të industrive vendore. Më tej këto lëvizje janë të fiksuara me konceptin e sovranitetit të kombeve dhe urrejnë në thelb globalizimin dhe institucionet globale. Rrjedhimisht ato janë armiq të çfarëdo intervenimi, kudo në botë dhe cilado të jetë arsyeja, madje edhe kur bëhet fjalë për parandalim gjenocidesh si në Bosnjë apo Kosovë. Në fund, duke ndjekur retorikën e padronit të tyre të tashëm moskovit dhe të dikurshëm sovjetik, ato dyshojnë te lloj-lloj “armiq të brendshëm e të jashtëm”, kërkojnë “unitet kombëtar” kundër këtyre forcave dhe nuk tolerojnë aspak mendimet ndryshme. Jo rastësisht ata rradhisin etnitë tjera dhe mediat e lira ndër armiqtë kryesorë të brendshëm dhe Sorosin e institucionet globale ndër të jashtmit.

Në rradhën e këtyre “idiotëve të dobishëm” pikë së pari bëjnë pjesë lëvizjet populiste dhe ekstreme të Europës, si Fronti Nacional i Le Pen në Francë, UKIP-i britanik, AFD gjerman, Gert Uajlders në Hollandë. Më tej vijnë disa struktura të Europës Lindore që veçmë janë në pushtet, si Orban në Hungari, Vuçiq në Serbi e Gruevski në Maqedoni dhe disa grupe më margjinale në vendet tjera. Megjithëse me tipare dhe mënyra veprimi të ngjashme, në këtë grup nuk bëjnë pjesë partia Ligj e Drejtësi e Kaczynskit në Poloni dhe AKP e Erdoganit në Turqi. Polonia dhe Turqia janë shtete të mëdha dhe të fuqishme në vete, që gjeopolitika dhe historia i ka bërë të jenë përherë skeptik ndaj qëllimeve të Moskës.

Këto struktura nuk përbëjnë ndonjë aleancë formale të grumbulluara rreth ndonjë institucioni global, siç ishte dikur Kominterna komuniste. Mirëpo ata nuk lëshojnë rastin për të mbështetur njëra-tjetrën dhe për të akuzuar armiqtë e përbashkët si BE, NATO apo Sorosi. Në këtë kontekst duhen parë për shembull qëndrimet e Le Pen kur akuzon Kosovën dhe mbron intervenimin në Krime, mbështetjen e Rusisë dhe Orbanit për VMRO-në, euforinë e këtyre të fundit me Brexit-in e të tjera. Por njëlloj si në kohën e komunizmit, koka e vërtetë dhe shpresa e fundit e këtyre strukturave mbetet Moska.

Në kohën sovjete relacioni padroni moskovit-“idioti” europian ishte asimetrik. Komunistët europianë besonin se ndajnë vizion të përbashkët me Moskën – revolucionin global proletar, ndërsa vetë Moska shfrytëzonte këtë relacion për politikë të veten shtetërore që s’kishte të bëjë me çështje ideologjike. Asimetria e njëjtë ekziston edhe sot. “Idiotët” e sotëm nëpër Europë mund të besojnë se thelbi i relacionit të tyre me Rusinë janë bindjet e njëjta politike, por në realitet Putini i shfrytëzon ata për qëllimet e tij shtetërore. Së pari ata shërbejnë për të demaskuar, sipas tij, hipokrizinë perëndimore. Duke relativizuar dhe vënë në pikëpyetje vlerat perëndimore ai arsyeton pushtetin e tij të hekurt brenda në Rusi nën mantrën “Perëndim flet ndryshe dhe vepron ndryshe”. Së dyti ata përherë mund të shërbejnë si kartë për një përdorim, që do digjet sipas nevojës. Çdo herë kur Putin ndjen presion brenda apo duhet të reterojë jashtë, ai mund të ndezë shkëndija të reja konflikti përmes këtyre idiotëve, gjithmonë për të shpërqëndruar vëmendjen nga vetja dhe problemet reale të Rusisë.

Dhe me këtë përfundon misioni i këtyre “idiotëve të dobishëm”. Gruevski me miqtë e tij nëpër rajon mund të shpresojnë se Rusia do të kalërojë për t’i shpëtuar kur t’a kenë punën pisk. Në realitet Rusia do t’i përdorë sa t’ua ketë nevojën dhe do t’i flakë tutje sapo t’i bëhen barrë. Sepse në fund të fundit relacioni padron-“idiot i dobishëm” s’ka si të përfundojë ndryshe. Padroni do gjejë vegla tjera, idioti do të mbetet idiot!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button