Ahmeti: BDI lufton të fitojë njerëzillëku

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sonte në Zhitoshë në fjalën e tij tha se vota për BDI-në do të thotë votë për të triumfuar njerëzia. 

 “Ne luftojmë që të fitojë njerëzillëku, ne angazhohemi që të gjithë njerëzit të jenë të lirë, të jetojnë në pasurinë që ata krijojnë vetë. Ne nuk marrim dhe nuk duam hisen e askujt, por ama tonën nuk e japim. Nuk ka nevojë të frikësohet askush nga forca, prania dhe madhësia e BDI-së, por nëse dikush mendon se na frikëson, qerpiku s’na dridhet. Luftërat në rajon dhe në Ballkan kanë përfunduar. Para 12 viteve është hapur një kapitull i ri. Në Maqedoni është firmosur MO-ja, një kontratë që rregullon çështjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Pa harruar, me insistimin tonë janë futur edhe komunitetet më të vogla në këtë marrëveshje pasi edhe ata ishin të diskriminuar njëjtë si ne. Dhe unë këtë nuk e rikujtoj se na paskan borxh turqit, boshnjakët, romët, vllahët, që ata të votojnë BDI-në. Se ne nuk e kemi bërë këtë gjest dhe këtë veprim dhe as që e kemi menduar në atë kohë që do të bëhemi parti politike, pasi s’e kemi ditur nëse do të jetojmë, por së paku kërkojmë që të jenë mirënjohës pasi në këto hapësira këto komunitetet, pjesa më e madhe e tyre na kanë përkrahur kur ne kemi qenë në të vështirë”, u shpreh Ahmeti.

Ai ritheksoi edhe një herë idenë e presidentit konsensual dhe shtoi se, ajo, në mos sot, do të realizohet nesër.

“Për 50 vite janë mbledhur votat tona dhe tani kur duhet të merremi vesh për presidentin konsensual, ata thonë JO. Ne nuk tërhiqemi nga pozicionet tona, mos sot, nesër kjo do të bëhet realitet. Ne më 13 prill nuk do të votojmë asnjë kandidat pasi nuk plotëson kërkesat dhe standardet tona”, tha kryetari i BDI-së.

Ai nënvizoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO dhe në BE, si një garanci për stabilitet, paqe dhe ardhmëri. 

“Prioritetet tona janë që të hapen vende të reja të punës, rinia këtu të ndërtojë ardhmërinë dhe jo gjetiu. Unë do të kërkoj nga ju të gjithë dhe rrethina, Dollneni e Krusheva…ky është një mandat shumë i rëndësishëm, po hapet kapitulli i ri i dekadës së dytë të firmosje së MO-së, ju të gjithë e shihni se ne e kemi ndarë mendjen, ne kemi kërkuar president konsensual, kryetari i shtetit duhet të jetë figurë që bashkon të gjithë. Ne vërtet jetojmë në një shtet por në dy shoqëri të ndara, përse të mos merremi vesh për të parin e shtetit qoftë ai shqiptar, maqedonas apo boshnjak”, tha Ahmeti.

Kryesuesi i Listës në Njësinë  Zgjedhore nr. 5, , Musa Xhaferri tha gjatë fjalës së tij se, BDI do të përfaqësojë të gjitha komunitetet e kësaj ane, si dhe do të angazhohet që ky rajon të mos ndjehet i anashkaluar.

Lajme të ngjashme

Back to top button