Pse kaq shumë turq të Gjermanisë e duan Erdoganin?

 “Unë shpesh e kritikoj shumë qartë Erdoganin, por mos harroni se ai e ka përmirësuar Turqinë që nga viti 2002, përmes zgjedhjes së tij president”, tha Talat Kamran për DW-në, shkruan Lajmi.net, transmeton Portalb.mk.
 Shumica e turqve në Gjermani mbajnë pikëpamje të ngjashme me Kamranin, i cili ka lindur në Turqi në vitin 1959, u rrit atje dhe më vonë u transferua në Gjermani për t’i studiuar shkencat politike.

Për të Erdogani është njeriu që frenoi ushtrinë turke, shkaktoi një bum ekonomik dhe që udhëhoqi vendin drejt urbanizimit dhe drejt modernizimit.

Kamran udhëheq Institutin Mannheimit për Integrim dhe Dialogun Ndërfetar që nga viti 1996 në një përpjekje për ta forcuar mirëkuptimin në mes myslimanëve dhe të krishterëve, gjermanëve dhe turqve.

Kamran kritikon ashpër sulmet aktuale personale dhe ka bërë thirrje për më shumë qetësi dhe mirëkuptim. Perspektiva kritike e Gjermanisë ndaj Erdoganit nuk është e gabuar, por ajo nuk ka marrë në konsideratë perspektivën turke”, tha Kamrun.

Shumë, veçanërisht të rinjtë turq, duan jo vetëm ta forcojnë vetë Erdoganin, por edhe ta dërgojnë një sinjal për demokratizim.

“Është e qartë se procesi i demokratizimit në Turqi është ende i gjatë, por njerëzit duan të lëvizin përpara dhe të shohin Erdoganin si një figurë të fortë. Nëse jo, njerëzit kanë frikë nga një luftë civile e ngjashme me situatën në Irak apo në Siri”, tha Kamran.

Njerëzit e thjeshtë nga ky vend

Kamran tregon për historinë e Turqisë pas grushtit të shtetit në vitin 1980. Gjithnjë e më shumë njerëz u zhvendosën nga rajoni i varfër i Anadollit nëpër qytete, duke krijuar një kundërpeshë të qartë të elitës urbane.

“Shumë prej turqve në Gjermani kanë rrënjët e tyre në Anadoll. Për ta Erdogani do të jetë gjithmonë njëri prej tyre”. Erdogani me të vërtetë vjen nga një familje modeste, i devotshëm, ashtu si shumica e brezit të parë të punëtorëve të huaj që erdhën në Gjermani nga Turqia në vitet 1960 dhe ’70.

Tani gjenerata e dytë dhe e tretë e turqve në Gjermani janë të rreshtuar me Erdoganin, shpjegon Bulent Bigli, sekretari i përgjithshëm i Unionit të Demokratëve Evropiano-Turk (UETD). Raportet e medieve që vijnë nga Gjermania kanë zemëruar shumë turqit. Mediet janë duke u fokusuar më shumë në grushtetin e mbetur në tentativë dhe në perspektivën e Erdoganit të dobësuar sesa në fitoren e supozuar të demokracisë mbi puçistët.

Krenaria kombëtare luan një rol të madh

Libri i gazetarit Cigdem Akyol “Generation Erdogan” ofron pasqyrë në situatën aktuale. Mbi të gjitha, Erdogani ka myslimanët sunitë dhe kështu shumicën konservatore të shoqërisë, nga ana e tij, tha ajo. Nëse mediet gjermane pyesin se si dikush mund ta mbështesë një njeri që shtyp kundërshtarët e tij dhe i kufizon liritë e shtypit, atëherë, sipas Akyol, ata kanë nevojë për t’i hequr “syzet e tyre gjermane”. Pas katër grushteteve ushtarake, Turqia ka shfaqur dëshirë të madhe për stabilitetin dhe “kjo është arsyeja pse njerëzit janë mirënjohës për Erdoganin”, thekson ajo.

Në të kaluarën laikët i shikonin gratë që mbajnë shami koke si njerëz që pastrojnë WC-të e tyre. Sipas Akyol, kjo ka ndryshuar plotësisht nën Erdoganin. Edhe gruaja e tij mban shami.

“Erdogani ia ktheu turqve krenarinë kombëtare përsëri dhe kjo ndjenjë shtrihet edhe tek shumica e 1.5 milion turqve me nënshtetësi gjermane”, ka thënë Akyol.

Perspektiva turke

Ludwig Schulz, një ekspert për Turqinë në fondacionin gjerman “Orient” në Berlin ka konfirmuar se shumë prej turqve të Gjermanisë e perceptuan dështimin e grushtit të shtetit si një fitore për shoqërinë turke dhe për demokracinë. Schulz shpjegoi se krenaria dhe mbështetja kombëtare për Erdoganin erdhi nga shumë njerëz me origjinë turke, të cilët ishin kryesisht të informuar nga mediet turke proqeveritare.

Gjatë çdo bisede me ekspertë për Turqinë, gjithmonë vërehet se jo të gjithë gjermano-turqit janë mbështetës të Erdoganit. Roy Karadag, politolog në Universitetin e Bremenit, për shembull, tha për gazetën “Die Welt”: “Në mesin e gjermano-turqve ka konflikte në rritje mbi atë se kush duhet të flasë në emër të tyre, kush mund të veprojë dhe të mobilizojë”.

UETD-ja dëshiroi që të tregojë në Këln se shumica e turqve në Gjermani mbështesin Erdoganin, shtoi ai. Diskutimet janë ndezur pasi marrëdhëniet diplomatike të Gjermanisë me Turqinë janë bërë gjithnjë e më të tensionuara. Kreu i Shoqatës Turke të Gjermanisë, Gökay Soufuoglu, ka thënë për revistën “Focus”: “Ka një çarje në shoqërinë turke. Kjo është duke shkatërruar miqësitë. Edhe në mesin e familjeve është duke shkaktuar probleme…”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button