Basha: Vetting do të ketë një ditë pas qeverisë teknike

Me afrimin e datës kur Kuvendi duhet të ngrejë komisionet e veta për përzgjedhjen dhe votimin e kandidatëve për vetting-un, Lulzim Basha po e përfshin këtë gjithnjë e më shumë si një çështje të protestës së opozitës. Sepse, kreu i demokratëve thotë se një drejtësi e vërtetë mund të bëhet vetëm me zgejdhje të lira e të ndershme, transmeton Top Channel. 

“Vetting me Armando Prengën, vetting me Elvis Roshin nuk ka dhe nuk ka për të patur, por do të ketë me qeverisjen e re, qeverisje që do të garantojë zgjedhje të ndershme. Që të nesërmen ne do të ulemi për tu dhënë shqiptarëve vetting-un për të cilin votuam më 22 korrik, vetting-un që garanton gjyqtarë dhe prokurorë të pastër, të pastër e të pakapur, që janë makthi i Edi Ramës”, tha Basha.

Ky ishte një rast që Lulzim Basha të sulmojë nismën e shoqërisë civile për mbledhjen e firmave të qytetarëve që mbështesin vetting-un, si nismë e kryeministrit Edi Rama.

“I dridhen leqet e këmbëve kur mendon për drejtësinë e pakapur, drejtësinë që nuk e merr dot në telefon ta shantazhojë dhe ta urdhërojë. Atij dhe bandës në pushtet i prishet gjumi nga vetting-u i vërtetë, prandaj do vetting fasadë, me shoqatat e vullnetarëve të Enverit që i ka nxjerrë rrugëve të Tiranës sot. Vetting do të ketë një ditë pas qeverisë teknike, do të jetë vetting i vërtetë dhe drejtësi e vërtetë”, theksoi Basha.

Lulzim Basha e etiketoi kryeministrin Edi Rama si drejtuesin e një pakice që po e ushtron pushtetin me kriminelë dhe të korruptuar, kundër interesit të shumicës: “Nuk pranojmë më shqiptarët zgjedhje të diktuara nga krimi, paratë e drogës. Ose do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme ose zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur. Ne nuk do t’i lejojmë! Nuk do t’i lejojmë zgjedhjet fasadë!”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button