Kot lexoni lajme me koment në krye!

[Recension: “Zaev nuk e ndërron Kushtetutën, kot votuan shqiptarët për LSDM-në”]

Një ndër fenomenet më të përhapura për sa i përket shkeljeve të rregullave mbi shkrimin e lajmeve është ai i infiltrimit të komentit si kategori në titull si dhe brenda lajmit. E, shumë prej portaleve në Maqedoni janë ‘të nxehtë’ kur vjen në shprehje dhënia e mendimeve individuale dhe propagandimi mbi një çështje të caktuar, mu duke shfrytëzuar këto forma të fshehjes së mendimit personal prapa përmbajtjejeve që do të duhej të jenë lajme. Ata sikur kanë humbur durimin për të prodhuar lajme të mirëfillta, e më tepër janë të interesuar për të gjetur forma dhe mënyra sa më efikase që të fusin ndonjë koment brenda tekstit të një lajmi, sigurisht jo për qëllime që synojnë informimin objektiv dhe gjithpërfshirës të publikut.

[Recension: “Zaev nuk e ndërron Kushtetutën, kot votuan shqiptarët për LSDM-në”]Linku për te artikulli origjinal: Zaev nuk e ndërron Kushtetutën, kot votuan shqiptarët për LSDM-në

Data dhe koha e publikimit: 17.02.2017

Data e recensionit: 22.02.2017

Recensues: Agron Vrangalla

 Edhe lajmi që qëndron pas këtij linku nuk ka mundur t’i rezistojë energjisë së përgjithshme që dominon në shumë prej portaleve tona, e që është komentimi në zhanret informative, ku kjo gjë nuk e ka vendin. Kësaj radhe, subjektiviteti i autorit na paraqitet një formë interesante të kësaj dukurie, e që po ashtu ka filluar të shpeshtohet.

Teksti i lajmit, i paktë, nuk ka ndonjë mangësi profesionale dhe mund të thuhet se është paraqitur në formë korrekte, nëse flasim për një lajm të shkurtë agjencik, që zakonisht përcjell një qëndrim apo deklaratë të një personi. Por, elementi kryesor i komentimit është vendosur vetëm në një fjalë, që në titullin e lajmit.

Ekziston një bindje e përgjithshme, por edhe hulumtime, se shumica e përdoruesve të mediave të reja rrallë lexojnë tekstet e plota që ju dalin përpara. Një pjese të madhe të publikut i mjafton vetëm të lexojë titullin e lajmit dhe kësisoj të inkurajojë veten se bën pjesë në grupin e njerëzve të informuar. Sidoqoftë, ky fenomen, i përgjithshëm tashmë, mbase ndodh edhe për shkak të numrit të stërzmadhuar të lajmeve që mbizotërojnë në internet, sidomos në rrjetet sociale. Domethënë, në këtë rast, nuk është e rëndësishme sasia e informacioneve që posedon një medium i caktuar, sepse tani më thuajse askush nuk hap faqe të reja në mënyrë të qëllimshme ekskluzivisht për t’u informuar, por se pjesa më e madhe prej nesh jemi të prirur që lajmet të na vijnë vetë në muret e rrjeteve sociale.

Dhe, kjo nuk do të thotë se është një gjë negative. Thjeshtë, kemi gjetur rrugën më të shkurtër për të arritur deri te informacioni. Ekziston një shprehje shumë e qëlluar për këtë që thotë:“Nëse një informacion është i rëndësishëm, ai do më gjejë mua”. Pra tash më nuk flitet për “lundrim” apo “surfim” të përdoruesve në ueb me qëllim që të marrin atë që dëshirojnë, por thjesht informacionet vetë na imponohen, na dalin para syve, dashur  – padashur. Dhe, sikur të thonë: “të lutem më konsumo mua”.

Për t’iu kthyer analizës shumë të shkurtër mbi problemin e lajmit më sipër, pa asnjë shqetësim mund të thuhet se mediat tash më janë të njoftuara me dinamikat e reja të levërdisë së informacionit. Ato po ashtu e dinë fort mirë se pjesa më e madhe e përdoruesve nuk e kanë ndërmend të hapin linkun dhe të lexojnë tekstin e lajmit, dhe çfarë ndodh? Thonë, atë që kemi për të thënë, do ta themi në titull, menjëherë, pa humbur kohë. Kështu pra ka ndodhur edhe me këtë lajmin që për hirë të së vërtetës ballafaqohet vetëm një një gabim të vetëm.

Nëse e rishikoni titullin që thotë se  “Zaev nuk e ndërron Kushtetutën, kot votuan shqiptarët për LSDM-në”, nuk është se të jep ndonjë tronditje të fuqishme, siç na ka ndodhur me raste të tjera. Megjithatë “mjeshtria” është në atë se këtu kemi një komentim të vogël e ai është “kot votuan shqiptarët për LSDM-në”. Pjesa e parë e titullit përbën faktin, pra që Zaev ka deklaruar se nuk ka ndërrim të kushtetutës, ndërsa pjesa e dytë shtrihet mbi gjykim vlerësues të autorit, që në fund të ditës, përbën shkelje profesionale. Pse? Sepse nuk bazohet në fakte, të cilat do të dëshmonin se shqiptarët në Maqedoni paskan votuar për Zaevin dhe partinë e tij për shkak se u është premtuar ndryshim i Kushtetutës. Së paku të kishte ndonjë deklaratë të ndonjë votuesi të dëshpëruar shqiptar për të dëshmuar këtë tezë, do të ishte pak më legjitime, por ky lajm, sipas formës, nuk ka pretenduar të zgjërohet dhe të përfshijë palë tjera.

Por, nëse edhe ne bazohemi në gjykim të vlerave apo cilësimeve mbi një fakt të kryer siç është dhënia e votës LSDM-së nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, edhe mund të jemi dakord ose jo me këtë gjykim, nuk ka ndonjë gjë të keqe këtu. Por tani më është e qartë se flasim për vlerësim të vlerësimeve, e jo për vlerësim të fakteve. Ky është një dallim shumë i rëndësishëm në raportimin dhe shkrimin e lajmeve. Mbase, është më i rëndësishmi. Se, askush nuk mund të ju “ndëshkojë” nëse nuk keni arritur, ta zëmë, të kuptoni të parët për një ngjarje, por shumë lehtë mund t’ju etiketojnë si amatorë dhe jo kredibil, në momentin që vërehen situata të tilla të infiltrimit të komenteve në lajme.

Besoni, janë shumë të dallueshme komentet në lajme. Ndoshta duket sikur me këtë gjë publiku “do ta hajë”, e në të vërtetë, nuk e han dot. Edhe publiku edukohet, se përveç atyre që nuk i respektojnë standardet, ka shumë edhe që i respektojnë dhe i shërbejnë interesit publik. Tash, siç cekëm, informata edhe prej profesionistëve edhe prej atyre që nuk punojnë sipas rregullave vjen vetë, apo jo, dhe përhapet lehtë në publik. E, ai është dita ditës më vigjilent dhe po bëhet një arbitër i hatashëm që ka nisur të bëjë seleksionim të informacioneve që i dalin përpara.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button