Si po e mashtron Putini perëndimin

Muaji mars e përshkallëzoi përfshirjen e Bashkimit Europian dhe SHBA-së në ngjarjet në Ukrainë, edhe pse ato shpresonin se nuk do të merreshin me të. Kur parlamenti i Rusisë aprovoi të shtunën kërkesën e presidentit Vladimir Putin për të vendosur forcat e armatosura ruse në Ukrainë, zyrtarët në Bruksel dhe Uashington u përpoqën të përgjigjeshin ndaj krizës më të keqe midis Moskës dhe Perëndimit, që nga konflikti me Gjeorgjinë në vitin 2008.

“Me siguri që komuniteti ndërkombëtar do të përpiqet të ndihmojë; disa vende janë shumë të vendosura për të ndërmarrë veprime të ashpra,” tha Gulliver Cragg nga France 24, duke raportuar nga kryeqyteti ukrainas i Kievit. “Mirëpo ka shumë pyetje lidhur me sa efekt mund të ketë presioni ndërkombëtar.”

Përgjigja e Presidentit amerikan Barack Obama ndaj votës së të shtunës ngjante me tonin e luftës së ftohtë. Në një bashkëbisedim telefonik 90-minutësh me Putinin, Shtëpia e Bardhë njoftoi: “Presidenti Obama shprehu shqetësimin e tij të thellë mbi dhunimin e dukshëm që Rusia po bën mbi sovranitetin dhe integritetin territorial  ukrainas.”

Por “vijat e kuqe” të Obamës janë shkelur edhe në të shkuarën dhe Putin ka një histori sfidash ndaj kundërshtarëve të perëndimit në lidhje me përdorimin e parave (ose armëve). 

“Shikoni kostot që ka fshehur Putin për Ukrainën, në të mirë të imazhit publik,” vë në dukje Cragg. “Ai sapo harxhoi një sasi të jashtëzakonshme parash në organizimin e lojërave olimpike në Sochi, që u mendua të ishte diçka e mirë për imazhin e Rusisë në arenën ndërkombëtare. Ai është i vetëdijshëm se ajo që i ka bërë Ukrainës tani është duke e shkatërruar gjithë këtë. Kjo tregon për vendosmërinë e Putinit për të ruajtur ndikimin e tij mbi Ukrainën.”

 Ukraina nuk është Gjeorgji

Në javën që vijoi pas largimit të Janukoviç, disa ekspertë e krahasuan krizën aktuale në Ukrainë me krizën e Gjeogjisë në vitin 2008 dhe arritën në përfundimin se duke marrë parasysh madhësinë, popullsinë dhe numrin e personelit ushtarak në Ukrainë, ka pak arsye për t’u frikësuar nga “përsëritja e Gjeorgjisë”, kur trupat ruse hynë në Osetinë jugore dhe Abkazi.

Mirëpo ishin aksionet e shumta në Ukrainë që e bënë Putinin të kërkonte vendosjen e kontrollit në gadishullin e Krimesë – një veprim de fakto që u duk se e kapi të papërgatitur perëndimin dhe administratën e re të Kievit. 

“Autoritetet ruse mendojnë se janë në pozita për të humbur gjithçka dhe kjo shpjegon sjelljen aktuale të Rusisë,” tha Florent Parmentier, një ekspert i Europës Lindore. “Objektivi kyç kur Putini u kthye në pushtet në vitin 2012 ishte ideja se do të ndërtonin një bashkim doganor që do të përfshinte Ukrainën. Fakti që aktivistët e sheshit Maidan nuk ishin në favor të kësaj bëri që ky projekt të dështonte. Tani ai po mendon se duhet të krijojë trazira në Ukrainë dhe duke e vendosur Krimenë në shënjestër, është në pozitën e destabilizimit të gjithë Ukrainës.”

I krijuar për të arritur një aleancë ekonomike të ngjashme me Bashkimin Europian, që do të përfshinte ish-republikat sovjetike, bashkimi doganor tani përfshin Bjellorusinë dhe Kazakistanin, ndërsa Kirgistani dhe Armenia po bëjnë përpjekje për t’u bashkuar. 

Ishte dështimi i Janukoviç për të nënshkruar marrëveshjet politike dhe të tregut të lirë me BE në nëntor që shkaktoi protestat opozitare në Sheshin e Pavarësisë në Kiev (Sheshi Maidan), një lëvizje që tani referohet thjesht si “Maidani”.  

 

Ukraina nuk është Iran

Në reagimin e tij ndaj lëvizjeve të fundit të Putinit në Ukrainë, Obama ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me “kosto” të papërcaktuara ende.

“Unë mendoj se ai po fsheh kostot ekonomike në emër të një marrëveshjeje tregtare,” tha gazetari i France 24.  

Por pak ekspertë besojnë se Obama është në pozita për të ndaluar këtë breshëri financiare. Për më tepër, Europa, me lidhjet e saj të rëndësishme ekonomike, (sektorin e gazit dhe energjisë), ka pak gjasa të ndjekë një paketë sanksionesh të stilit të Iranit. 

Fiona Hill, eksperte e Institucionit Brookings, me bazë në Washington, duke iu referuar Putinit tha: “Ne do të flasim për sanksione. Do të flasim për vija të kuqe. Ne po lëvizim furishëm. Dhe ai do të tërhiqet dhe thjesht do të vëzhgojë. Ai e di se asnjë nga ne nuk e do luftën.”

 “Mbrojtja” e rusëve etnikë 

Një nga justifikimet kryesore që ka përdorur publikisht Putini për kërkimin e aprovimit nga parlamenti lidhur me fushatën ushtarake në Ukrainë ka qenë mbrojtja e rusëve etnikë dhe rusisht-folësve në ish-republikën sovjetike. Ky është një justifikim që ai e ka përdorur edhe në të shkuarën në Osetinë jugore dhe në Abkazi. Por për një numër shtetesh me popullsi ruse, nga Estonia te Kazakistani, kjo dërgon mesazhin se Moska, si mbrojtëse e rusëve etnikë në botë, priret të tradhtojë parimin e mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të kombeve, një pozicion që shpesh është përdorur për të kritikuar përfshirjen e perëndimit në kriza të tilla si në revolucionin e Libanit dhe Sirisë. 

Sovraniteti kombëtar ka qenë gjithmonë një çështje për të cilën shteti komb ndodhet tani në pikëpyetje./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button