Irak: Ushtria thotë se i ka vrarë disa komandantë të IS-it

Ushtria e Irakut thotë se 13 komandantë të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), janë vrarë gjatë sulmeve ajrore në një ndërtesë ku besohej se ishte lideri i këtij grupi, Abu Bakr al-Baghdadi, njofton Rel, përcjell Portalb.mk.

Por, emri i al-Baghdadit nuk ishte në listën e emrave të të vrarëve të publikuar nga ushtria e Irakut.

Në njoftimin e mbrëmshëm, po ashtu, theksohet se forcat ajrore irakiane i kanë vrarë edhe 64 militantë të tjerë të këtij grupi, të nivelit më të ulët, gjatë sulmeve ajrore në rajonin Qaim, në pjesën perëndimore të Irakut.

Ushtria irakiane tha se javën e kaluar, lideri i Shtetit Islamik, al-Baghdadi, kishte lëvizur nga Raka e Sirisë matanë kufirit në Qaim.

Supozohej se al-Baghdadi ishte në takim me komandantët e tjerë të lartë për të diskutuar për zëvendësin e mundshëm dhe për situatën ushtarake të këtij grupi ekstremist në bazën e tij në Mosul të Irakut.

Në të kaluarën, disa herë ishte raportuar për plagosjen e bile edhe për vrasjen e Abu Bakr al-Baghadit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button