PDSH: Artan Grubi u kërkon komunave të paguajnë harxhimet e fushatës elektorale
![PDSH: Artan Grubi u kërkon komunave të paguajnë harxhimet e fushatës elektorale](https://i1.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2014/05/6A8665853493B3B951B89A7FBA7BACC7.jpg?fit=348%2C352&ssl=1)
PDSH-ja, ka prezantuar një dokument sipas të cilës, Artan Grubi u shkruan kryetarëve të komunave që qeverisen nga BDI që të paguajnë faturat e harxhimeve për fushatën elektorale.
“Këtu me të zeza në të bardhë Artan Grubi ju shkruan kryetarëve të komunave dhe urdhëron të paguajnë faturat e harxhimeve për nevojat partiake të fushatës elektorale”, tha anëtari i kryesisë qendrore të PDSH-së, Muhamet Thaçi në Konferencën e sotme për shtyp.
“Ky dokument fakton një situatë skandaloze dhe shqetësuese për shqiptarët. Ky dokument tregon se deri në çfarë shkalle ka arritur korrupsioni dhe krimi i organizuar në radhët e BDI-së. Financimi kriminal, blerja e votës dhe frikësimi i shqiptarëve nga ana e BDI-së ka marrë përmasa shqetësuese”, tha Muhamet Thaçi.
Sipas tij, dokumentet e prezantuara dhe të tjera do ti dërgohen të gjithë faktorëve relevant të brendshëm dhe ndërkombëtarë.
Lidhur me këto akuza të PDSH-së, i kontaktuar nga Portalb, Artan Grubi nuk u përgjigj por tha që partia e tij do të del me deklaratë.