5-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Rama: Duhet të paguajmë çmimin e lirisë

Ministria e Mbrojtjes mëngjesin e sotëm ka zhvilluar ceremoninë me rastin e 5-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në NATO.

Aktiviteti u zhvillua në sheshin para ministrisë, ku të të pranishëm kanë qenë: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura.

Gjithashtu në këtë event të rëndësishëm janë ftuar ambasadorë dhe atashe ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që punuan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe aleates kryesore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Mirënjohje ndaj gjithë atyre që ndihmuan në këtë arritje unikale. Mirënjohje popullit shqiptar, Forcave të Armatosura, administratës, shoqërinë civile, radhët e politikës pa dallim, që realizuan reformat që bënë të mundur anëtarësimin në NATO. Mirënjohja ndaj SHBA-ve është e pashmangshme sa herë që ne do të gëzojmë ditë dhe data si kjo e sotmja”, tha Rama.

Kryeministri nisur nga ngjarjet e fundit në Ukrainë tha se, lirinë nuk mund ta kemi falas, pasi ajo duhet të jetë e merituar. Ai për të treguar çmimin e lirisë, përmendi dëshmorin Feti Vogli dhe dëshmorë të tjerë që kanë rënë heronj përkrah forcave të NATO-s.

“Obama tha pak ditë më parë se situata në Ukrainë na kujton se liria nuk është falas. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të paguajmë çmimin e lirisë sonë në çdo përmasë. Lirinë nuk mund ta kemi falas. Pjesëmarrja në këtë aleancë e bën barrën tonë më të lehtë, çmimin e lirisë sonë shumë më të merituar. Në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë në NATO, gjaku i dëshmorit tonë kapiten Feti Voglit dhe gjaku i shumë djemve dhe vajzave në gjirin e forcave aleate në frontet, ku kjo aleancë lufton për lirinë dhe sigurinë janë dëshmia më kuptimplotë e çmimit të lirisë, por dhe prova më e padiskutueshme e forcës së besëlidhjes sonë të madhe euroatlantike”,- u shpreh kryeministri Rama.

Gjithashtu në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se prioritet i qeverisë shqiptare mbetet rritja e prestigjit të vendit tonë në NATO, Evropë por edhe në botë.

Kodheli: Do t’i kthejmë dinjitetin FA-së

Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh se, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë të angazhuara që në partneritet të ngushtë me aleatët tanë të kontribuojnë për sigurinë.

Në fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli kujtoi angazhimet e para të Shqipërisë përkrah vendeve të NATOS-s, deri në anëtarësimin e plotë të saj, me qëllim vendosjen e paqes dhe sigurisë globale. Ministrja u shpreh krenare për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë dhe për ndihmën që dha Shqipëria.

Sipas Kodhelit, Forcat e Armatosura janë të vendosura ta lartësojnë rolin e Shqipërisë në këtë bashkësi të madhe, mes miqsh që kanë lidhur besën me njëri-tjetrin.

“Falënderoj veteranët tonë në misionet e para në Bosnjë, Afganistan, Çad e Irak. Sot pas dy dekadash FA-ja është angazhuara për paqe dhe integritet dhe sigurinë globale. Festimi i kësaj dite do mbetet si ngjarja që na bashkoi me vlerat dhe parimet e demokracisë dhe progresit. NATO shihet si lidhje bese mes miqsh të nderuar të vendosur të mbrojnë njeri-tjetrin. Ne jemi të vendosur të qëndrojmë me këtë aleancë, të zbatojmë me vendosmëri reformat e nevojshme”, tha Kodheli.

Kodheli më tej u shpreh se, “jemi të vendosur t’i rikthejmë dinjitetin e munguar Forcave të Armatosura, të eliminojmë praktikat korruptuese dhe zhvlerësuese”, tha ajo.

Lajme të ngjashme

Back to top button