Kongresisti amerikan mbron qëndrimin për ndarjen e Maqedonisë

Kongresmeni amerikan, Dana Rohrabacher vazhdon ta mbrojë qëndrimin e tij se Maqedonia duhet të ndahet në mes shteteve fqinje. Përmes rrjeteve sociale ai iu rekomandon qytetarëve të Maqedonisë ta ndjekin shembullin e çekëve dhe sllovakëve, njofton alsat, përcjell Portalb.mk.

“Qytetarët e Maqedonisë duhet të vendosin se si ta zgjidhin krizën e tyre. Unë vetëm iu sugjerova atyre që ta ndjekin shembullin e çekëve dhe sllovakëve. Çekët dhe sllovakët nuk mundën të vazhdojnë bashkë, prandaj u ndanë. Zviceranët themeluan kantone vetëqeverisëse. Maqedonas bëni çfarë të dëshiron” ka thënë Dana Rohrabacher, kongresmen amerikan.

Deklarata e kongresmenit, Rohrabacher bëri bujë edhe në mediat botërore. E përditshmja britaneze, “Independent” në artikullin e publikuar me titull “Maqedonia e tërbuar pas deklaratës së Republikanit të lartë amerikan se nuk është shtet’” e përshkruan Maqedoninë si një nga vendet trashëgimtare të ish Jugosllavisë, që e shpalli pavarësinë në vitin 1991 dhe që u bë anëtare e Kombeve të Bashkuara dy vite më vonë. “Independent” citon republikanin John McCain, sipas të cilit kongresmeni Rohrabacher është “ekstremist i çmendur” dhe mbështetës i fuqishëm i Rusisë.

Ditë më parë Rohrabacher tha se krijimi i Maqedonisë si shtet ishte një projekt i dështuar dhe se shqiptarët e Maqedonisë duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërsa qytetarët tjerë t’i bashkohen Bullgarisë dhe shteteve tjera fqinje. Këtë deklaratë Ministria e Jashtme e Maqedonisë e konsideroi si “retorikë nacionaliste, shqetësuese, që e kthen vendin prapa në të kaluarën”. Departamenti Amerikan i Shtetit nga ana tjetër, e hodhi poshtë deklaratën e kongresmenit, Rohrabacher duke siguruar se qëndrimi i SHBA-së ndaj Maqedonisë nuk ka ndryshuar dhe se SHBA-ja e mbështet sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Maqedonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button