“Assesi nuk do të tolerojmë as mure e as veprime të cilat janë ilegale”

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës me kryetarët e grupeve parlamentare në të cilën u vendos që të enjten e ardhshme të mbahen dy interpelancat e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ndër të cilat edhe interpelanca sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë foli rreth çështjes së rrënimit të murit në veri të Mitrovicës, duke theksuar se në Kosovë më nuk do të ketë mure. Ai theksoi se pas këtij rrënimi do të ketë një projekt të ri, i cili do të jetë në përputhje me institucionet e Kosovës, me lëvizjen e lirë të qytetarëve, si dhe paralajmëroi se në atë vend do të ketë hapësira të gjelbëruara në nivelin zero, si për qytetarë ashtu edhe për makina të emergjencës.

Ai shtoi se gjithçka çfarë do të bëhet është në interesin e qytetarëve për një Mitrovicë të bashkuar, e cila sipas tij më nuk do të ketë jug dhe veri.

“Qëndrimi ynë që nga e para ka qenë shumë i qartë, duhet dialog i brendshëm dhe marrëveshje. Por ne assesi nuk do të tolerojmë as mure, e as veprime të cilat janë ilegale. Kjo edhe ka ndodhur, nuk kemi pasur asnjë qëllim provokues ndaj asnjë komuniteti me respektin më të madh për të gjithë qytetarët e Kosovës, por aq më tepër kur nuk i takojnë komunitetit shumicë shqiptarë”, tha Veseli.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, tha se janë vetëm një manipulim i opinionit publik, të cilat sipas tij një mur është duke u rrëzuar, ndërsa tjetri po ringrihet. Ai shtoi se kjo është mbulesë e dy problemeve serioze të Kosovës, ku siç theksoi ai, problemi i parë është se me ndërtimin e sheshit “Mbreti Petër” në veri, do të bllokohet përfundimisht magjistralja e vetme që lidh veriun dhe jugun e vendit.

Sipas tij, me këtë po mundohet të manipulohet edhe problemi i dytë i rëndësishëm për Kosovën, ai i krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kryetari I Kuvendit, dje ka deklaruar se muret i takojnë të kaluarës dhe të gjithë e dimë se nesër do të fillojë ndërtimi i një muri të ri”, tha Çaushi.

Nga ana tjetër, shef i grupit parlamentar të partisë në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, theksoi se është mirë që rrënimi i murit është bërë pa tensione, sikurse që ndodhi edhe me trenin që nuk arriti të hyjë në Kosovë.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç në televizionin publik të Serbisë ka thënë se në vend të murit të rrënuar do të ndërtohet një strukturë e re nga betoni, e cila do të jetë e lartë 70 centimetra dhe e gjerë 120 centimetra. Sipas Rakiç kjo strukturë mbështetëse do të garantojë sigurinë e qytetarëve të Mitrovicës verore.

Ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës, përkatësisht prapa Urës së Ibrit, në fillim të muajit dhjetor shkaktoi reagime të shumta, ku në seancën e 29 dhjetorit të 2016 të Kuvendit të Kosovës ishte miratuar edhe një rezolutë. Sipas rezolutës së mitartuar, rrënimi i murit pritej të ndodhte brenda muajit janar. Ndërkaq, rrënimi u realizua dje nga autoritetet lokale në veri të Mitrovicës, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të serbëve.

Përveç interpelancës sipas kërkesës së deputetit Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, e cila u mbështet nga 14 deputetë nënshkrues, në seancën e së enjtes do të mbahet edhe interpelanca për Ligjin e sigurimeve shëndetësore, e kërkuar nga deputeti i VV-së, Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 8 deputetë nënshkrues, si dhe debati lidhur me transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura.

Sa i përket çështjes së debatit për FSK-në, Veseli u shpreh se transformimi në forca të armatosura është një realitet që do të ndodhë shumë shpejt. Ai theksoi se kjo do të ndodhë në një kohë të përshtatshme, duke theksuar se për këtë çështje nuk është e mjaftueshme vetëm vendimmarrja e Kuvendit të Kosovës, por duhet të ketë partneritet të komunitetit ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button