Basha: 18 shkurti, protestë masive si në Rumani

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi këtë të hënë një takim me të rinjtë e degës 2 lidhur me protestën e 18 shkurtit. Gjatë takimit, zoti Basha identifikoi rininë si forcën shtytëse të çdo ndryshimi të madh, shkruan Top Channel.

“Ku ngrihen qytetarët, ku ngrihet rinia nuk ka qeveri të korruptuar e të inkriminuar t’ju bëjë ballë. E pamë në Rumani, tani është radha e shqiptarëve të ngrihen kundër papunësisë, kundër shëndetësisë së kolapsuar, kundër arsimit në ditën më të zezë, kundër diskriminimit të rinisë që i është lënë emigracioni si rruga e vetme”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, rinia është kategoria më e persekutuar e këtyre katër viteve, sepse, sipas tij, në vend është ngritur një sistem antivlerash, ku krimineli bëhet deputet dhe kryetar bashkie, ndërsa rinia dhe intelektualët detyrohen të shkojnë në emigracion. Sipas Bashës, kjo situatë duhet të marrë fund dhe në dorë e kanë qytetarët e dhe rinia.

“Ndaj, më 18 shkurt të ngrihemi të gjithë bashkë për të marrë fatet në dorë, për të diktuar me pushtetin e qytetarëve zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe përmes tyre për të diktuar që pushteti t’iu kthehet një herë e mirë qytetarëve”, ka thënë Basha.

“Rinia e Tiranës është gati. I bëj thirrje të rinjve dhe të rejave kudo t’i bashkohen përpjekjes tonë të madhe qytetare, e cila ka dhe do të ketë vetëm një përfundim. Fatin e qytetarëve në duart e qytetarëve. Të kthejmë pushtetin te qytetarët dhe të nisim ndryshimin. Të jetë edhe Shqipëria pjesë e erës së ndryshimit që ka përfshirë të gjithë shoqërinë e civilizuar në Europë, në Amerikë dhe në mbarë botën”, ka shtuar Basha.

Ai ka shtuar se, më 18 shkurt nis një proces i pakthyeshëm, një lëvizje, sipas tij, mbarë popullorë për t’i dhënë fund kastës së korruptuar dhe për të çliruar Shqipërinë që sot është peng e kësaj kaste. “Për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes tyre një qeveri të qytetarëve”, ka shtuar Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button