Bombat politike të Shkupit

Maqedonia është sot shteti, në mos më problematik i rajonit të Ballkanit. Sigurisht që çdo shtet i rajonit ka problemet e veta, ku bie në sy edhe një Serbi që me gjak e mbron nacionalizmin e vet të shfrenuar, por se shteti maqedonas hyn ndër vendet që lëmin e vet e ka më të ngatërruar. Këtu hyn nacionalizmi thuajse mesjetar, si në Serbi, hyn pushteti i dhunshëm, hyn kërbaçi mbi pakicat, vjedhja e votës, qeverisja e fuqishme, titanizmi politik mbi shoqërinë civile dhe në fund: mungesa e identitetit shtetëror dhe kombëtar. Kur flasim për raportet e shteteve të Ballkanit me njëra-tjetrën, nuk mund të themi se gjithmonë ato janë ngushtësisht të lidhura me kombin apo fenë.
Shembull tipik është fakti se pavarësisht se maqedonasit etnikë janë ortodoksë, kryeministri grek Aleksis Tsipras deklaroi në Beograd në takimin me Vuçiç se Maqedonia nuk ka identitet dhe se ka qëllime irredentiste. Tsipras mëshoi fort në tezën helene të njohur tanimë, të asaj që mban zyrtarisht diplomacia greke, se Maqedonia e vërtetë është në veriun e Greqisë dhe jo në atë vend, që ndërkombëtarisht është njohur si ish-republika jugosllave e Maqedonisë. Pra, ndërsa Greqia dhe Serbia qëndrojnë disi më të lidhura me njëra-tjetrën për shkak të vëllazërisë ortodokse që ekziston, Maqedonia nuk futet kollaj në këtë lloj valleje. Kjo për shkak se nuk e ka një traditë dhe se ka probleme si me shtetin grek, ashtu edhe me atë serb. Me Greqinë, ka probleme sa i takon çështjes së emrit, ndërsa me Serbinë, sa i takon kishës, pronësia e të cilës ka “ndarë” vendet.
E pra gjithë këto probleme që ka në “bark” Maqedonia, bën që të shpërthejnë herë pas here “bomba” politike, ekonomike dhe sociale në këtë vend. Kështu, bombat politike në Shkup nuk kanë të ndalur, me lodhje e stërlodhje për klasën politike në radhë të parë, sidomos atë që është në opozitë, por sidomos me popullin, që kaq shumë pret dhe se kaq herë ka shkuar të votojë. Maqedonia nuk ka vetëm bomba politike, por thuajse kudo në territorin maqedonas ka shpërthime, ka plagë, ka dhimbje, ka rëndesë, ka trafik klandestinësh, ka murtajë, ka vdekje, ka shkatërrim, ka mallkim të rëndë, të një vendi të rrënuar prej pushtetit të forcës e të dhunës së vazhdueshme, sidomos ndaj popullatës etnike shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button