Tema e përmbysjeve politike dhe e thyerjeve shpirtërore në poezinë e Dritëro Agollit

Dritëro Agolli me sinqeritet e dhimbje zbulon para lexuesit dilemat dhe mëdyshjet e kohës, brerjet e ndërgjegjes dhe me vargjet e tij na e thotë të vërtetën ndonëse të hidhur, por të ndershme:

“Eshkuara ka kohë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,

Ka drojtje dhe heshtje, kur lipsen të thirrura mos ma kujto”

Fati historik i popullit frymëzon poetët dhe në të shumtën e rasteve përcakton ngjyrën e disponimit të tyre poetik. Përmbysjet e mëdha politike që ndodhën në shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe veçanërisht në  Shqipëri përcaktuan ngjyrën e disponimit poetik të Dritëro Agollit. Periudha e tranzicionit qe një periudhë e tronditjeve të mëdha shpirtërore, ajo u përcoll me drama të dhimbshme dhe shqetësuese, të cilat lanë gjurmë të thella në kujtesën e popullit.

Zhvillimi dramatik i ngjarjeve dhe ndryshimet e paimagjinueshme politike u bënë objekt frymëzimi dhe lëndë me të cilat poeti Dritëro Agolli brumosi poezitë e librit “Pelegrini i vonuar”

Pesëdhjetë vitet e sistemit totalitar, Shqipërinë e katandisën në një krizë të thellë ekonomike, morale e të besimit. Dritëro Agolli dhe poetët e brezit të tij besonin në ndërtimin e një shoqërie, ku njerëzit të jetonin në liri dhe në barazi, ku të mos kishte padrejtësi e gjymtimendërgjegje; besonin në një shoqëri të mendimit të lirë dhe të individit të lirë dhe prisnin që ajo ditë të vinte, duke i falur shtrembërimet dhe gjymtimet që vinin re në të sotmen, pasi mendjen e kishin në të nesërmen. Ai dhe poetët e brezit të tij nuk e dinin se plaga e sotme do të bëhej gangrenë e së nesërmes.

Për ta pasqyruar më realisht dhe më me gjallëri krizën e thellë që kishte kapluar Shqipërinë, poeti në vjershën “Varfëria” vë përballë njëri-tjetrit labët dhe italianët të ndeshur në mes tyre në betejat e përgjakshme të Vlorës më 1920 dhe të Drashovicës gjatë LDB-së. Atëherë labërit me një heroizëm të pashoq luftuan heroikisht me armikun, ndërsa sot sulen mbi ndihmat që sjellin italianët:

U hodhën me rrebesh përmbi kutitë

Dhe gunat mbi kutitë lanë

Ata që topin dje në Drashovicë

Nga gryka zinin me Selam Musanë

Atmosferën e zymtë dhe të pashpresë që kishte kapluar Shqipërinë, poeti do ta pasqyrojë në vjershën simbolike “Gri”. Duke iu referuar fjalorit poetik, e sidomos duke lexuar me vëmendje disa vargje të kësaj vjershe si p.sh. Ikën lejlekët larg në arrati; Pikojnë strehët plot melankoli; Postier përtaci vjen në shtëpi; Me pallto gri me letra gri; Gazeta hapet me tituj gri, vijmë në përfundim se shkaktari kryesor i përhapjes kaq të gjerë i ngjyrës gri  është kriza ekonomike, morale e politike, por mbi këto eksodi masiv i të rinjve dhe të rejave shqiptare nga vendi i tyre. Eksodi paraqet një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë më të re shqiptare, që si i tillë ka lënë gjurmë të thella në jetën e njerëzve dhe shpirtin e poetit

Krahas  krizës së thellë ekonomike Shqipërinë e kishte kapluar edhe një krizë e thellë morale dhe politike. Këtë krizë do të mundohen ta shfrytëzojnë njerëzit shpirtvegjël, siç do të thoshte studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, akad. Rexhep Qosja, të cilët mendojnë se  bëjnë historinë. Por  historinë nuk e bëjnë grykësit, batakçinjtë, e pehlivanët që i kanë sytë e mendjen te thelat e duan të hanë në sofrën e shtruar të historisë. Atyre, thotë poeti, historia u jep një kafe në këmbë dhe u thotë:

Na falni, se presim  në sofër të vijnë

Ata që vërtet e bëjnë historinë

Historinë e bëjnë heronjtë, por kjo kohë gri tregtarësh e matrapazësh, s’është kohë heronjsh dhe idealesh, shkruan  poeti në “Malli për heronjtë”:

Kot digjemi nga malli për heronjtë

Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë

S’ka heronj, tani ka pehlivanë

Në mesin e këtyre pehlivanëve ka edhe intelektualë snobë, që  mohojnë poezinë e krijuar në kohën  e totalitarizmit dhe, në përgjithësi që i hedhin poshtë edhe korifenjtë e saj, duke kërkuar që të fillohet nga e para. Dritëro Agolli nuk e mohon “atë të bukur” dhe humane” që e kanë sjellë ai dhe poetët e brezit të tij tek njerëzit. “Por ajo kështjellë idesh dhe idealesh që e kemi besuar, ku përgjithësisht e ku pjesërisht, pothuaj se u rrëzua dhe në muret e saj digjen zjarret e ëndrrave tona Këto zjarre zgjojnë një poezi të një lloji tjetër, poezinë thellësisht shpirtërore, me të cilën poeti shpreh vetveten  dhe ia rrëfen të tjerëve pa fshehur asgjë”, thotë ai.

Dritëro Agolli me sinqeritet e dhimbje zbulon para lexuesit dilemat dhe mëdyshjet e kohës, brerjet e ndërgjegjes dhe me vargjet e tij na e thotë të vërtetën ndonëse të hidhur, por të ndershme:

E shkuara ka kohë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,

Ka drojtje dhe heshtje, kur lipsen të thirrura mos ma kujto

Fati tragjik i njeriut të thjeshtë dhe të ndershëm në këtë kohë të pehlivanëve do ta brengos thellë poetin, ashtu siç e kishte brengosur Migjenin në kohën  e tij. Këtij fati do t’i këndojë ai në poezinë “Përulja e madhe”:

S’gjen dhimbje më të madhe, në ke parë

Njerinë e ndershëm në mjerim e vaj

Tek ulet i përulur zemërzvarrë

Dhe ndihmë e shpresë pret nga maskaraj

Atmosfera që përshkon këto vargje flet mjaft për disponimin e ngrysur të poetit. Që ta kuptojmë shpirtin e një poeti – pat thënë një herë babai i poezisë moderne, Sharl Bodler, duhet t’i kërkojmë fjalët që hasen më së shpeshti në veprën e tij. Duke u nisur nga ky fakt do të mund të konstatojmë se fjalët: vetmi, trishtim, frikë, mërzi, dhimbje, pikëllim, gri, pelegrin etj., që hasen si tituj të poezive dhe fjalët dhimbje dhe psherëtimë, që hasen në titujt e dy cikleve te “Pelegrini i vonuar”, shpalosin botën ideoemocionale të poetit dhe ngjyrosin emocionalisht ligjërimin e tij poetik. Gjendja e trazuar shpirtërore dhe disponimi i ngrysur i poetit janë pasojë  vetmisë, të cilën nuk mund ta durojë natyra e hapur e tij, ndërsa shkaqet e kësaj vetmie mund të zbulohen në këto vargje:

Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë,

E mbylla dhe derën që rrinte hapur

Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë,

Që shtireshin si engjëj të dashur.

Në atë kohë të përmbysjeve politike dhe të plakjes fizike të poetit ndoshta vërehej një lëvizje sadopak e vogël e botëkuptimit të tij për poezinë, edhe pse nuk mund të bëhet fjalë për ndërrimin e pikëpamjeve themelore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button