Rektori i UT-së, Ameti: Ndarja nga jeta e Dritëro Agollit humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare

Rektori i Universitetit të Tetovës ka dërguar telegram ngushëllimi për rastin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, njofton Portalb.mk.

“Me marrjen e lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të patriarkut të letrave shqipe, kolosit të kombit Dritëro Agolli, më lejoni që në emër të Universitetit të Tetovës t’ju shpreh ngushëllimet vëllazërore, drejtuesve të shtetit shqiptar, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, institucioneve të arsimit dhe kulturës, familjes së nderuar Agolli, kolegëve, miqve dhe lexuesve të panumërt të veprës së Tij gjeniale.

Ikja e Dritëroit është humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke qenë se për dekada të tëra e krijoi dhe përfaqësoi atë në metropolet e artit evropian e botëror.

Agolli, shkrimtari ynë që bëri epokë, do të na mungojë të gjithëve, në veçanti dashamirëve të artit poetik dhe gjithë komunitetit të krijuesve letrarë.

Gjeniu i kombit tonë la pas vetes thesare tepër të çmuara me vlera artistike, ndaj do të mbetet burim i përhershëm frymëzimi për ne dhe për brezat, si model i përkryer i krijuesit dhe atdhetarit.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për kolosin e letrave shqipe, Dritëro Agolli”, shkruhet në telegramin e ngushëllimit të Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button