A ka konflikt interesi te Behixhudin Shehapi dhe miqtë e tij?!

Reagimi i Kabinetit të Sekretarit shtetëror, ndaj “të pavërtetave” tona që nga 22 libra na janë përkrahur vetëm 3 (!) ndërkaq botuesit maqedonas, që janë të ngjashëm me projektet tona, kanë marrë nga 15 tituj. Akuzës tonë që Sekretari me përkrahjen e “60 titujve aplikantëve jobotues tetovar”, u mundua t’i arsyetohet se bëhet fjalë për “botues tetovar” (që në asnjë Panair libri, madje as në atë të Tetovës nuk i kemi parë), që na qenkan përkrahur me 50 (në një reagim tjetër e shton: respektivisht 54)!

Vallë, përse i bënë këto “bravura”?! Pakënaqësia jonë ndaj “vlerësuesit letrar” është e qartë, se cilat kanë qenë kriteret letrare, me të cilat janë refuzuar 19 vepra të autorëve të dëshmuar vendor dhe të huaj! Sekretari dhe komisioneri nuk kanë nevojë të mundohen të xhirojnë “film” pa skenar të mirë, në regji të dobët dhe me aktorë familjarë, të një niveli krejtësiht amator dhe tipik për “sheherlitë e katundit të Tetovës”. Reagimi i tij (apo Kabinetit), që fillon me “Ministria e kulturës reagon…” dhe përfundon me “Kabineti i sekretarit shtetëror”, flet qartë për joprofesionalizmin e atij, që e ka shkruar këtë Reagim. Në njërën anë flet për përgjegjësinë e institucionit (Ministrisë) e në anën tjetër, se kujt i “djeg” më së shumti. Asgjë e re nga ky lloj Reagimi. Megjithatë, do ta rikujtojmë autorin e këtij Reagimi, se kur shkruhet Ministria e kulturës, në atë rast nënshkrues është ministri, sepse ai është përgjegjës për politikën kulturore në këtë Ministri.

Sekretari Shtetëror, mund të ndikojë nëse ka ndikim tek Ministri, mirëpo funksioni i Sekretarit shtetëror është të merret me sistematizime dhe mbikqyrje të punëve që i bëjnë të punësuarit në ministri. Sikur Sekretari shtetëror të kishte avancuar ndonjë të punësuar shqiptar nga referenti në këshilltar, nga këshilltari në udhëheqës sektori, apo këshilltar shtetëror, atëherë do të kishte dëshmuar edhe fuqinë politike dhe do të kishte arsye për të ndikuar pozitivisht në avancimin e kulturës shqiptare, në suaza të mundësive të tij. Por ai, në vend që të avancoj shqiptarë, para vitit të ri avancoi 4 maqedonas! Athua sa maqedonas të tjerë janë avancuar gjatë mandatit të sekretari shtetëror, që nuk e kryen punën e vet, ndërkaq përzihet në mënyrë destruktive dhe lokaliste në programin kulturor?! Sekeretari, në vend të përgjigjes konkrete, cilat ishin kriteret e refuzimit të 19 projekteve botuese të Shtëpië botuese “Shkupi” nga gjithsej 22(?), në stilin e tij tashmë lokalist primitiv tetovar (ky lokalizëm është identik me etnocentrizmin maqedonas), dhe për ta hutuar opinionin se kinse ato shtypshkronja, subjekte jobotuese dhe miq të interesit, ai pa e akuzuar askush thotë “Në këto vendime të Ministrisë, nuk ka pasur “konflikt interesi”!

Me këtë rast na intereson: A është konflikt interesi, që sekretari shtetëror, gjatë këtyre 3 viteve, në aktivitetet e Shoqatës humanitare “El-Hilal” nga Shkupi, gjithmonë është paraqitur si kryetar i saj?! Edhe vetë anëtari i Komisionit a nuk është njëherit edhe Udhëheqës i Sektorit për arsim dhe kulturë në Komunën e Tetovës, do të thotë i emëruar si funksionar publik? Duke u nisur nga ky fakt, do të ishte politikish e ndërgjegjshme, që ata që e kanë propozuar për sekretar shtetëror, të rishikojnë të gjitha emërimet për antarë komisionesh, pastaj vendimet e atyre pak projekteve të pranuara shqiptare nga këto komisione, a ka konflikt interesi?! Kush me kë është në zyre kabineti bashkë dhe i kalon projekte kolegut të punës, kush kujt i ka telefonuar për t’ia kaluar projektin?!… Mendoj, që këto aktivitete nuk do të duhej të jenë “kritere për vlerësimin e veprave letrare dhe artistike”. Nëse, subjekti që e ka propozuar për sekretar shtetëror, është i kënaqur me këto “vlerësime”, atëherë le ta avancoj sekretarin në ministër, apo kryetar partie! Me këtë, sëpaku do ta dijmë se kriteret për vlerësime letrare dhe artistike janë ndryshuar.

Në fund. A janë përkrahur botimet në gjuhën shqipe me 31 përqind të buxhetit për botime dhe a është përkrahur kultura shqiptare me 25 përqind sa thotë sekeretari, duhet të dëshmohet me bërjen publike të gjitha projektet dhe paratë e parapara për secilin projekt nga 11 programet kulturore për vitin 2017, nga botimet e deri te eurointegrimet. Po të publikohen, shumëkush prej atyre që u ka “bërë mirë” sekretari dhe “komisioneri”, do të dëshpërohen, sepse ka ndodhur që një shoqate piktorësh, t’i përkrahen 5 kolona artistike me nga 200 euro! Deklarimet me përqindje, pa këtë dëshmi konkrete, janë gënjeshtra të zakonshme, që i thonë politikanët shqiptarë, për nevoja ditore. Ndryshe nga këto gënjeshtra, është dyshimi ynë, poashtu pa dëshmi, që për kulturën shqiptare sivjet, nuk është dhënë më shumë para, se sa ka kushtuar dera hyrëse e Muzeut të VMRO-së!

Fundja, ne nuk na intereson çka do të bëjë partia që e ka emëruar sekretarin shtetëror, që ka shenja të “konflikt interesit”, a do ta avancojë në ministër, kryetar partie, apo do ta ndëshkojë institucionalisht, ne thjeshtë kërkojmë që të Anulohet Programi Botues për vitin 2017, sepse vlerësojmë se programi botues i Shtëpisë sonë botuese “SHKUPI”, nuk është vlerësuar në bazë të arriturave letrare të projekteve tona botuese.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. More z. Szam! Po ku i intereson atij , që as emrin s’mund t’ia shqiptoj, për kulturën shqiptare!
    Atë DUI e ka vënë për të mos bërë asgjë për kulturën shqiptare, por veç për të grabitur sa më shumë për politikanët e për të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button