Profesor, nuk jemi në xhungël, zbato Kushtetutën!

Politika është matësja më e mirë e njerëzores. Bota e njerëzve dallon nga kafëshërorja për nga mënyra e organizimit institucional. Në grupe organizohen edhe kafshët, por ata nuk kanë një politea, e cila do të zhvillohej nëpërmes rregullave të institucionalizuar. Nisur nga kjo, shtrohet pyetja si mund të jemi kaq kaotik në zbatimin e rregullave kur në institucione kemi njerëz? Pse gjithë kjo xhungël në mesin  e racionales, njerëzores?

Grupimet, organizimi në parti politike bëhet sepse mekanizmat për të ardhur deri te e mira e përgjithshme janë të ndryshme. Secila parti tubon rreth vetës njerëz që i lidh një ideologji e caktuar. Partitë synojnë pushtetin- forcën institucionale, për ta zhvilluar organizimin shoqëror sipas ideologjisë që proklamojnë.

Partitë dhe përfaqësuesit e tyre me të ardhur në pushtet nuk duhet injoruar të tjerët që mendojnë ndryshe e as të mundohen që regullat/ligjet t’i zbatojnë sipas tekeve të tyre. Ligjet duhet zbatuar në mënyrën më të mirë të mundshme, pa mos shkelur vullnetin e askujt që mund të ketë perceptim ndryshe.

Maqedonia që nga pavarësimi i saj është ballafaquar me politikë të mbrapsht. Ka pasur organizim shoqëror që më shumë i ka asocuar xhunglës se sa instiutucionalizmit. Kulmi i kësaj është akti i fundit i presidentit aktual Gjorge Ivanov, në interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës.

Në Nenin 90 të Kushtetutës së Maqedonisë, shkruhet: “Presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend”.

Kushtetuta është e qartë për çdo institucionalist, të mos flasë për profesorë universitar të shkencave politike e të drejtës kushtetuese. Gjorge Ivanov erdhi në funksionin e presidentit të shtetit nga fusha akademike përkatëse, por dështoi në atë që dikur e ligjëronte. Profesori ka harruar renditjen: morali, drejtësia dhe politika. Profesori, tani president nuk e kurorëzoi moralin dhe drejtësinë me politikë, por e zëvendësoi atë me parti. Kështu, profesori e partizoi funksionin e tij dhe nuk e vuri pozitën e tij në funksion të politikës- të mirës së përgjithshme.

Ai i dha mandatin një lideri partiak, i cili vite më parë e kishte kandiduar për president, ende pa siguruar se ky lider ka shumicën parlamentare. Ivanov fillimisht e shkeli Kushtetutën dhe tani mundohet ta përmirëson gabimin në tentim të dytë. Por, është i pafalshëm gabimi i parë dhe në vende demokratike kjo shkelje duhet të dënohet. Me tu konstituuar Kuvendi, gjëja e parë që duhet të bëhet është kërkim përgjegjësie nga presidenti.

Vetëm në këtë formë do të dëshmojmë se në Maqedoni ka klasë politike të ndërgjegjshme, që nuk janë në shërbim të parciales/partisë por të politikës interesit të përgjithshëm. Nëse edhe një gjë e këtillë nuk penalizohet, atëherë zbehja e besimit të institucioneve shtetërore arrin kulminacionin. Kur nuk ke besim në institucione do të thotë se të njëjtat nuk ekzistojnë, kur s’ka institucione xhungla është ligj. E ne jemi njerëz, t’i forcojmë institucionet duke kërkuar përgjegjësisë prej tyre, në mos në mënyrë të drejtpërdrejt, atëherë duhet bërë duke ushtruar presion ndaj përfaqësuesve tanë institucional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button