Çfarë realizoi BDI në shëndetësi?

Bashkimit Demokratik për Integrim mburret me arritjet dhe realizimet e platformës të cilën e promovuan në vitin 2011, që mes tjerash parashikonte shëndetësi cilësore, moderne dhe qasje për të gjithë. 

Gjithashtu u tha se do të ndërtohen klinika dhe spitale në zonat rurale shqiptare, do të punësohen mjek shqiptarë, do të hiqen librezat duke u zëvendësuar me kartela elektronike, si dhe do të investohet në aparate më të reja mjekësore.

Nga ana tjetër qytetarët dhe mjekët ankohen për mosfunksionimin e kartelave elektronike dhe se sistemi elektronik vonon vizitën e tyre dhe kështu krijohen radhe edhe më të mëdha sesa kur funksiononte sistemi i vjetër. Ata nuk janë kundër sistemit elektronik, por janë kundër mos funksionimit të tij.

Mjeku dhe anëtari i RDK-së, Artan Dika, mohon se premtimet janë realizuar dhe thotë se ato janë gënjeshtra.

“Premtimet e BDI-së janë rrenat e radhës të stërpërsëritura të kësaj partie për ta ngopur me lugën bosh, këtë popull të sjelle në buzë të mjerimit. Me vite shqiptarëve ju premtohet kardiologji invazive në Spitalin e Tetovës, ndërsa ajo realizohet në Spitalin e Shtipit. Programi i BDI-së në vitin 2011 parasheh ndërtimin e spitalit të ri në Strugë, ndërsa në realitet u ndërtua spitali i Ohrit”, tha për Portalb, Dika.

Sa i përket punësimeve të mjekëve shqiptarë Dika shtoi se diskriminimi në këtë sferë është i dukshëm.

“BDI nuk ka vendosur gjë për çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe kjo u pa më së miri në konkursin për pranimin e mjekëve të ri në Spitalin e Qytetit të Shkupit, ku nga 20 mjekët e pranuar gjithsej, nuk kishte asnjë shqiptar. BDI nuk ka vendosur asgjë në shëndetësi as kur ka pasur ministrin e saj kukull specializant, që bënte vetëm punën e zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë e jo më si deri tani që kishte vetëm një Sekretar shtetëror qesharak që e gjitha që bën është vetëm marrja e rrogës çdo muaj dhe as klinikat në Shkup nuk e di ende se ku ndodhen”, shtoi Dika.

Ndërkaq në 2011 po ashtu u tha se meqë bëhet fjalë për një proces i cili vazhdon, Bashkimi Demokratik për Integrim në fushën e shëndetësisë në afatgjatë parasheh projektet dhe sfidat e tjera të cilat do të realizohen në vazhdim.

Lajme të ngjashme

Back to top button