Turqi, gjykata urdhëron zhbllokimin e Twitter

Gjykatat turke rrëzuan vendimin e qeverisë së kryeministrit Erdogan, duke e cilësuar si antikushtetues bllokimin e rrjetit social Twitter.

Vendimi u mor nga një gjykatë në Ankara. Gjykata pezulloi bllokimin dhe urdhëroi menjëherë rihapjen e aksesit të përdoruesve në rrjet. Kundër vendimit të qeverisë u rreshtua edhe Presidenti turk, Abdullah Gyl.

Presidenti zgjodhi pikërisht profilin e tij zyrtar në këtë rrjet social për të kundërshtuar vendimin e qeverisë.

“Teknikisht kjo është e pamundur të realizohet. Rrjete të tilla sociale që veprojnë në të gjithë botën nuk mund të bllokohen. Bllokimi i tyre mund të bëhet vetëm nëse ka një vendim gjykate lidhur me privatësinë e qytetarëve tanë”, shkruajti Gyl.

Twitter u mbyll ditët e fundit të javës së kaluar me vendim të Autoritetit të Telekomunikacionit. Përdoruesit kur hapnin “Twitter.com” drejtoheshin drejt një deklarate të Autoritetit ku citohej një urdhër gjykate që detyron aplikimin e “masave të mbrojtjes” ndaj kësaj faqeje. Më herët kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ishte angazhuar në mbylljen e Twitter, pas akuzave për korrupsion ndaj rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të tij që u përhapën nëpërmjet rrjetit social.

“Nuk më intereson se çfarë do të thotë komuniteti ndërkombëtar. Të gjithë do të njohin tani e tutje forcën e pushtetit të Republikës së Turqisë”, deklaroi Erdogan gjatë së enjtes.

Ai foli pak pasi disa përdorues kishin publikuar dokumente që, siç raportohet, jepnin prova mbi korrupsionin që rrethon kryeministrin, një akuzë që ai vet e ka mohuar. Zyra e tij njoftoi se Twitter nuk iu përgjigj vendimeve të gjykatës në Turqi, për të hequr disa linqe, gjë që bëri që Ankaraja zyrtare të vepronte.

Në Turqi, janë rreth 10 milionë përdorues aktivë të Twitter. Në 2010-n, vendi hoqi ndalimin e përdorimit të Youtube, dy vite pasi kishte bllokuar aksesin në këtë uebsajt, për shkak të disa videove ofenduese ndaj themeluesit të këtij vendi, Mustafa Kemal Ataturk. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button