Diaspora shqiptare do të angazhohet maksimalisht për zgjedhjet

Diaspora shqiptare në Nju Jork do të merr pjesë aktive në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit, të cilat në njësinë zgjedhore shtatë, tetë dhe nëntë do të mbahen një ditë më parë, përkatësisht më 26 prill. 

Kryetari i Shtabit Zgjedhor Iliaz Kadriu thotë se pas takimeve me shoqatat shqiptarëve të diasporës është arritur një pajtim që të punohet së bashku për regjistrimin e qytetarëve që kanë të drejtë vote. 

“Problemi kryesor është se shumica e shqiptarëve nuk kanë pasaporta biometrike të Maqedonisë, si kusht ligjor për të votuar, por kjo nuk pengon që të regjistrojmë edhe shqiptarin e fundit që ka pasaportë biometrike dhe mund të votojë”- thotë Kadriu.

Ndërkaq, Shoqata Dibrane ka lënë mënjanë pakënaqësinë e shprehur më parë për mosrespektimin e duhur gjatë përzgjedhjes së kandidatëve që do të garojnë për të përfaqësuar diasporën. Shoqata jo vetëm që do të merr pjesë por do të angazhohet në sensibilizimin e mërgatës dhe në procesin e regjistrimit të mërgimtarëve me të drejtë vote. Sipas anëtarit të kryesisë së Shoqatës Dibrane Dino Radoveshi, anëtaret e kësaj shoqate do të angazhohen që në këto zgjedhje të fitojë kandidati shqiptar. 

“Shoqata kurrë nuk ka përmendur fjalën bojkot. Ne shprehem pakënaqesinë tonë për procedurën e kandidimit, por nuk kemi deklaruar se do të bojkotojmë zgjedhjet. Të bojkotosh zgjedhjet do të thotë të bojkotosh veten dhe t’ia lehtësosh fitoren kandidatit maqedonas”- shprehet Radoveshi. Ndërkaq Murat Mela, një aktivist i shquar për cështje me interes kombëtar, pavarësisht angazhimeve në biznes, gjen kohë për t’u angazhuar në sensibilizimin dhe regjistrimin e shqiptarëve që kanë të drejtë vote. 

“Personalisht, deri tani kam regjistruar rreth 100 persona. Fatkeqësisht, ky nuk është ndonjë numër për t’u krenuar, por arsyet janë të shumëllojshme. Ka pakënaqësi nga qasja e partive politike, shumë dibranë nuk i kanë pasaportat e reja biometrike, pastaj bëhet fjalë për një shtrirje të madhe gjeografike, njerëzit janë të zënë me punë dhe nuk gjejnë kohë për të ardhë deri në pikat ku bëhet regjistrimi”- thotë Mela. 

Një pikë tjetër regjistrimi është Xhamia në Staten Island, ku pritej të bëhet pjesa më e madhe e regjistrimit për shkak të frekuentimit, por edhe imami i kësaj xhamie Omer Papraniku numëron të njejtat arsye, megjithatë paraqitja dita ditës po shtohet, thotë Papraniku. Në proces janë përfshirë edhe aktivistë të pavarur, të cilët lobojnë që diasporën e Maqedonisë në Amerikë ta përfaqësojë një deputet shqiptar për të korrigjuar kështu lëshimin e zgjedhjeve të vitit 2011. Arif Mashkulli, një filantrop dhe aktivist për cështje me interes kombëtar vazhdon sensibilizimin e komunitetit dibran për të regjistruar mërgimtarë me të drejtë vote. 

“Mërgata duhet të dalë në zgjedhje dhe të zgjedh një deputet shqiptar, i cili do të na përfaqësojë denjësisht në kuvendin e Republikë së Maqedonisë dhe të ngre zërin ashpër për cështje si projekti “Fusha e Lukovës”, ku drejtpërsëdrejti dëmtohen dibranët”- thotë Mashkulli. Mërgimtarët shqiptar të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kërkojnë që vendvotimi nga përfaqësia konsulare e Maqedonisë në Manhatan të zhvendoset në xhaminë në Staten Island si vendi më i afërt dhe më i përshtatshëm për komunitetin shqiptar të kësaj ane. Afati i regjistrimit të diasporës me të drejtë vote përfundon më 29 mars. Qytetarët që nuk janë regjistruar nuk mund të realizojnë të drejtën për të zgjedh ditën e votimit, më 26 prill 2014. 

Lajme të ngjashme

Back to top button