Nimic do të ‘lodhet’ kot

Negociatori për çështjen e emrit Methju Nimic, pas një pauze prej disa muajsh, ka ftuar dy palët, maqedonase dhe greke, për takim.

Analistët vlerësojnë se nga ky takim nuk do të del ndonjë zgjidhje për çështjen e emrit, por do të bisedohet për të.

“Tani para zgjedhjeve është ditur që do të ketë takime lidhur me çështjen e emrit, po sipas mendimit tim nuk do të ketë asgjë të re. Nuk ka zgjidhje ende të kësaj çështje”, tha Nano Ruzhin, ish ambasadori i Maqedonisë në NATO.

Ai shtoi se pas ngjarjeve të fundit në mes Ukrainës dhe Rusisë, Maqedonia është mjaft e rëndësishme për anëtarësim në NATO edhe pse është një vend i vogël, dhe kjo gjë më duket se do të zgjidhet më shpejt sesa çështja e emrit.

Nga ana tjetër analisti Mersel Bilalli bën të ditur se këto takime janë thjesht biseda para zgjedhjeve dhe se nuk pritet ndonjë rezultat pozitiv për çështjen e emrit.

“Duke pasur parasysh që jemi në periudhën parazgjedhore, nuk ma merr mendja që do të ketë ndonjë zgjidhje të çështjes së emrit, sepse nuk dihet se kush do të udhëheq shtetin në të ardhmen dhe si do e percepton pozita e re këtë çështje. Andaj mendoj që është thjeshtë vetëm një takim”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se ndoshta në këtë mbledhje do të bisedohet edhe për anëtarësimin në NATO për shkak se Samiti do të mbahet në muajin shtator.

“Ndoshta ky takim mbahet edhe për shkak të mbajtjes së Samitit të NAO-s në muajin shtator të këtij viti dhe do të sugjerohet që sa më shpejtë të zgjidhet problemi mes këtyre dy shteteve fqinjë”, theksoi Bilalli.

Siç është bërë zakon tashmë, Nimic fillimisht do t’i takojë palët në takime të ndara dhe pastaj do të realizojë një takim të përbashkët, me qëllim të afrimit të qëndrimeve rreth një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

Ndërkaq takimi i fundit i Nimicit me negaociatorët Jolevski dhe Vasikalis ishte në muajin tetor të vitit të kaluar, por në këto bisedime palët nuk arritën t’i kapërcejnë dallimet. 

Lajme të ngjashme

Back to top button