‘Ofenzivën diplomatike’ BDI e quan sukses në euro-integrime

As avioni i Ahmetit nuk aterroi në Bruksel dhe as Maqedonia nuk u bë pjesë e familjes së madhe evropiane pas premtimeve thuajse çdo qershor apo dhjetor, çdo samit pranveror apo dimëror, se ‘ky është afati i fundit’.

Larg premtimeve deklarative të BDI-së prej pothuajse një dekadësh në pushtet, premtimit kryesor madje në çdo marrje të mandatit se do të integrojë vendin në strukturat euro-atlantike, Maqedonia sot pas 10 vitesh, më afër mund të jetë Pekinit apo Moskës por jo edhe Brukselit. Pavarësisht gjendjes faktike, BDI në raportin e llogaridhënies lidhur me përmbushjen e programit të saj, thekson ofensivën e suksesshme të liderit të BDI-së nëpër qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare.

“Përmes angazhimit diplomatik të përfaqësuesve të BDI-së në nivele më të larta, në institucionet ndërkombëtare të Komisionit Evropian, NATO dhe OKB-së përforcon rolin e shqiptarëve dhe diplomacive ndërkombëtare dhe promovon interesat strategjike të integrimit të vendit në NATO dhe BE”, theksohet në raportin llogaridhënës të BDI-së. 
Si arritje BDI thekson marrjen e statusit të vendit kandidat në vitin 2005, liberalizimin e vizave për vendet e BE-së, si dhe hapjen e Dialogu të nivelit të lartë aderues. 

Nga ana tjetër BDI theks të veçantë i vendos angazhimit në përmirësimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore duke theksuar:

“Fqinjësia e mirë është një nga faktorët kryesorë për arritjen e paqes, sigurisë dhe mirëqenies së një individi, familjeje, fshati, qyteti apo shteti…BDI ka realizuar një agjendë aktive dhe intensive me një qasje konstruktive në krijimin e një ambienti më të mirë për të tejkaluar çështjet e hapura me fqinjët Greqinë dhe Bullgarinë”

Edhe zv/kryeministri për euro-integrime Fatmir Besimi në fjalën e tij me rastin e prezantimit të raportit llogaridhënës të partisë theksoi angazhimin e BDI-së në këto procese.

“BDI-ja ka realizuar një agjendë aktive dhe intensive me një qasje konstruktive në krijimin e një ambienti më të mirë për ti tejkaluar çështjet e hapura me fqinjët tanë Greqinë dhe Bullgarinë.  Ndërtimi dhe rruajtja e marrëdhënieve të mira mes shteteve fqinje është një imperativ i cili del  edhe nga përcaktimet programore të BDI-së. Ajo e cila karakterizoi këtë mandat qeverisës të BDI-së në fushën e euro-integrimeve ishte agjenda intensive diplomatike e BDI-së”, tha Fatmir Besimi, zv kryeministër.

Megjithatë për njohësit e proceseve euro-integruese raporti i BDI-së për euro-integrimet në fakt duhej të quhej “raport i udhëtimeve të BDI-së” sepse të gjitha shpjegimet në raport janë të shoqëruara nga argumente boshe pa asnjë sukses që mund të merret si shembull konkret ku mund të sqarohen arritjet e BDI-së në këtë sferë. 

“Me gjitha udhëtimet “zyrtare” që delegacion i BDI-së i bëri kohët e fundit Maqedonia vazhdon të ngelet jashtë proceseve euroatlantike gjë që dëshmon dështimin e saj në këtë proces”, thekson Enisa Bajrami, Instituti Alternative Liberale.

Sipas Bajramit, edhe pse Dialogu i Nivelit të Lartë Aderues ishte një iniciative ë mirë për vendin pasi ajo duhej të shërbente si urë lidhëse drejt procesit të negociatave, stagnimi pikërisht në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga ky proces, kanë lënë vendin në pozicion status quo.” Janë pikërisht këto reforma, kritere që BDI kurrë nuk i ka theksuar si ndër më të rëndësishmet, kurrë nuk ka raportuar se ku qëndrojmë me përmbushjen e këtyre reformave, por çdo herë ka theksuar që problemi ynë më madhorë qëndron tek zgjedhja e emrit, gjë që nuk është e vërtet”, thekson ajo për Portalb. 

“Erasmus plus”, pyes publikisht nëse BDI posedon me statistikat se sa studentë shqiptarë në krahasim me ata maqedonas ju jepet mundësia ta shfrytëzojnë këtë program? A janë interesuar ndonjëherë se sa diskriminim të hapur ju bëhet studentëve shqiptarë në këtë drejtim? Nuk e di si mund të figuroj kjo pjesë në raportin e BDI-së si sukses i radhës!”, thekson Enisa Bajrami, Instituti Alternative Liberale.

Megjithatë BDI nuk dorëzohet nga procesi i integrimeve euro-atlantike. Edhe ne zgjedhjet e radhës votat e shqiptarëve do t’i kërkojë për të futur Maqedoninë në NATO dhe BE. Pritet të shihet se si pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat i kërkoi pikërisht për këtë qëllim, do të zhbllokojë proceset integruese të vendit./ Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button