Korrupsioni në komuna, dreka dhe darka në pjata të fildishta

Askush nuk kishte menduar se, 10-të vite pas fillimit të procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, pjesa më e madhe e komunave do të vinin para bankrotit. Procesi i bartjes së kompetencave nga pushteti ekzekutiv në atë lokal ka filluar nga viti 2004, me miratimin e pakos së ligjeve që buronin nga Marrëveshja e Ohrit. Ky proces kishte për qëllim fuqizimin e komunave dhe bartjen e një pjese të mirë të pushtetit, me qëllim që administrata komunale të jetë më afër qytetarit dhe e gatshme t’u përgjigjet nevojave të tij.
Por, sot pjesa më e madhe e komunave kanë akumuluar borxhe të mëdha. Këto borxhe vlerësohet të jenë rezultat i korrupsionit dhe keqpërdorimeve, të cilat u decentralizuan bashke me kompetencat.
SCOOP hulumtoi shpenzimet në disa komuna dhe rezultatet janë katastrofale.
Thyerje procedurash gjatë furnizimeve publike, shpenzime maramendëse për reprezentacion dhe derivate të naftës, udhëtime zyrtare pa mbulesë, pagesë honoraresh dhe mëditjesh joligjore dhe shumë parregullësi tjera kanë përshkuar ushtrimin e pushtetit në nivel lokal.
Sipas dokumenteve që SCOOP i siguroi nëpërmjet Ligjit për qasje të lirë deri te informacioni, shuma maramendëse parashë disa komuna kanë shpenzuar në të ashtuquajturat “shërbime këshilldhënëse” dhe “organizime manifestimesh”. Komuna të caktuara vërehet të shpenzojnë deri në 5 mijë euro në muaj vetëm për të paguar faturat e derivateve të naftës për makinat e udhëheqësve komunalë. Komuna rurale kanë faturuar dhe paguarshuma për blerje bekatonash aq sa do të kishin mbuluar gjysmën e territorit të asaj njësie të vetqeverisjes lokale.

DREKAT DHE DARKAT

Në bazë të dokumenteve të siguruara, shihet se komuna e Strugës nga viti 2008 e deri më 2013-të ka shpenzuar mesatarisht nga 111 mijë euro në vit për reprezentacion apo shërbime hotelierike. Kjo i bie se për pesë vite janë harxhuar rreth gjysëm milion euro nga buxheti komunal për pagesën e drekave dhe darkave zyrtare për kryetarin dhe udhëheësinë e komunës. Në bazë të përllogaritjeve, komuna e Strugës ka harxhuar mesatarisht nga 9.258 në muaj për reprezentacion.
Komuna e Manastirit mesatarisht ka harxhuar 55.5 mijë euro në vit ose 4632 në muaj. Komuna e Ohrit ka shpenzuar mesatarisht nga 63.3 mijë euro në vit, ose 5283 në muaj ndërsa ajo e Tetovës mesatarisht nga 37.5 mijë euro në vit, apo 3133 euro në muaj. Komuna e Kumanovës ka shpenzuar 34.5 mijë euro në vit ose 1881 euro në muaj. Komuna e Strumicës, ndërkaq, për reprezentacion ka shpenzuar mesatarisht nga 19 mijë euro në në vit, apo 1586 euro në muaj. 
Lëshime të mëdha dhe indikacione për korrupsion ka hetuar edhe Komisioni Shtetëror i Revizionit (KSHR) gjatë kontrolleve të fundit.
Nga shpenzimet për reprezentacion te një operator turisrik në Ohër, revizioni ka vërejtur se 603 mijë denarë të harxhuar për shërbime gastronomike janë kryer në vitin 2006, janë evidentuar në vitin 2008 kurse fatura është paguar në vitin 2012. Për shërbime poashtu gastronomike për një tjetër operator turistik, në po të njëjtin vit janë paguar 602 mijë denarë, me çrast për 589 mijë denarë nuk ekziston asnjë llogari fiskale apo specifikim për harxhimet e realizuara.
Nëse një kilometër rrugë urbane me bekatonë kushton mesatarisht 20 mijë euro, me shumën e harxhuar për 5 vite Struga do të kishte shtruar 25 kilomentra rrugë, Tetova 10, Manastiri 12, Strumica 5, Qendra 7, Shtipi 3, Kumanova 9 dhe Ohri 15 kilomentra.

TRANSFERET E DYSHIMTA

Një sërë parregullësish, transferesh të dyshimta dhe indikacione për korrupsion ka vërjetur Revizioni gjatë kontrollit të kryer për punën e Komunës së Tetovës gjatë vitit 2012. Komuna ka paguar rroga, kontribute dhe mëditje për këshilltarët komunalë në vlera më të larta sesa ato që parashihen me rregullativën pozitive ligjore. Në këtë vit, me kontratë në vepër, janë punësuar 87 persona jashtë çdo procedure, me çrast për rrogat e tyre janë harxhuar afër 100 mijë euro. Si shpenzime ditore për këshilltarët komunalë vetëm në 2012-ën janë paguar mbi 13 mijë euro, edhe pse në bazë të Ligjit për paga anëtarëve të Këshillit u takon vetëm kompensim mujor financiar për pjesëmarrje në seanca.
Mbi 120 mijë euro janë shpenzuar si transfere për shoqatat joqeveritare ndërkaq 32 mijë euro për transfere sociale.
Poashtu, vetëm gjatë këtij viti ka realizuar furnizime të mallrave dhe shërbimeve në vlerë prej afër 60 mijë eurosh, pa mos respektuar procedurat e parapara në Ligjin për furnizime publike. Në këtë rast nuk është respektuar konkurenca, qasja e njëjtë ndaj kompanive si dhe recionaliteti i harxhimit të mjeteve buxhetore, të mbledhura nga taksat që paguajnë qytetarët e Tetovës.
Për udhëtime jashtë vendit komuna ka harxhuar afër 42 mijë euro ndërsa për telefonat fiks dhe mobil janë paguar afër 93 mijë euro.
Për derivate të naftës për makinat zyrtare vetëm për dy vite janë shpenzuar afër 100 mijë euro, ose nga 2009 e deri më 2013 mesatarisht janë harxhuar nga 3100 në muaj.
Raporti për Komunën e Ohrit tregon se gjatë vitit 2012 janë harxhuar afër 200 mijë euro për transfere në shoqata joqeveritare, klube sporti dhe organizata humanitare, duke mos u sjellë asnjë akt për qëllimet e këtyre pagesave. Janë realizuar furnizime publike në vlerë prej 250 mijë eurosh, pa mos u respektuar neni 100 i Ligjit për furnizime publike.
Ndërkohë që komunat marrin më shumë kompetenca, ekspertët paralajmërojnë se me këtë rritet edhe niveli i korrupsionit në pushtetin lokal.
Sipas tyre, nevojitet një monitorim më serioz i punës së kryetarëve të komunave me qëllim që ndërpritet menaxhimi korruptiv i cili i ka sjellë njësitë e pushtetit lokal në gjendje të vështirë financiare.

Në këtë situatë, kur komunat janë të zhytura në borxhe kurse kryetarët shpenzojnë paratë e qytetarëve në mënyrë joracionale, decentralizimi si proces vlerësohet të mos ketë arritur t’i shëndrrojë komunat në servis të qytetarëve. 

Hulumtim i përgatitur nga rrjeti hulumtues “Scoop”

Lajme të ngjashme

Back to top button