Rusia merr kontrollin de facto të Krimesë

Me mijëra trupa të sigurisë ruse po qarkullojnë në rajonin e Krimesë, ndërsa luftanijet kanë filluar të lëvizin. Pavarësisht thirrjeve të Perëndimit për të tërhequr trupat nga Ukraina, Rusia duket se po kundërpërgjigjet duke i shtuar trupat ushtarakë në Ukrainë. Në Krime raportohet se janë shtuar trupat ruse, duke bërë kështu që Rusia të marrë kontrollin de facto të rajonit. 

Nisur nga situata mjaft kritike në Ukrainë pas dërgimit të trupave ruse në Gadishullin e Detit të Zi, Krime, shtatë vendet më të fuqishme industrialiste në botë janë shprehur kundër pjesëmarrjes së tyre në konsultimet e Soçit për samitin e G8. Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në Uashington thuhet: “Ne liderët e Kanadasë, Francës Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Presidenti i Këshillit Europian, Presidenti i Komisionit Europian bashkohemi për të dënuar shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga Federata Ruse. Ne kemi vendosur të pezullojmë pjesëmarrjen në samitin G8 që do të zhvillohet në Soçi në qershor”. Deklarata shton se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë shkel parimet dhe vlerat me të cilat funksionon G7 dhe G8. Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara kërkojnë që të ketë bisedime të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe qeverisë së re të Ukrainës në lidhje me të drejtat e njeriut dhe sigurinë.

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar propozimin e kancelares Angela Merkel për të ngritur një grup kontakti për Ukrainën. Presidenti rus ka pasur një bisedë me kancelaren gjermane gjatë ditës së djelë (03.03), ku mësohet se kjo e fundit ka deklaruar se ndërhyrja e Rusisë në Krime është shkelje e papranueshme e ligjeve ndërkombëtare. Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me presidentin amerikan Barack Obama për krijimin e një grupi kontakti që do të gjente një zgjidhje politike për krizën në fjalë.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të mblidhen këtë të hënë (03.03) në një sesion të jashtëzakonshmën në Bruksel. Takimi zhvillohet në një kohë kur ushtria ruse vazhdon të forcojë kontrollin e saj në gadishullim e Krimesë. Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës në një konferencë për shtyp ditën e dielë(02.03) deklaroi se Rusia i ka shpallur luftë Ukrainës dhe urdhëron mobilizimin e forcave ushtarake. Deri tani presidenti Putin ka injoruar thirrjet e Perëndimit për të tërhequr trupat. Ai këmbëngul se Rusia ka të drejtë të mbrojë interesat e saj dhe të shtetasve rusë që jetojnë në Krime dhe kudo tjetër në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Back to top button