Sërish kërcënohet Erdogan: Do të paguajnë ata që prishin qetësinë e qytetarëve tanë

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se “Aty ku për veprimtari terroriste nuk bën organizata separatiste, bën DEASH, aty ku nuk bën DEASH bën FETO dhe nëse nuk kujdeset FETO, ndonjë organizatë tjetër merr përsipër këtë veprimtari tradhtare”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan ka folur në ceremoninë e hapjes së përbashkët të projekteve në Şanliurfa të Turqisë.

“Tanimë askush nuk mund ta mohojë këtë të vërtetë; dikush është duke i ushqyer, armatosur, forcuar dhe udhëzuar këto organizata dhe po i lëshojnë drejt Turqisë. Ata që nuk po kanë guxim të dalin trimërisht përballë dhe të luftojnë me ne, po përpiqen të na çojnë në rrugën që duan ata përmes organizatave terroriste. Një fjalë thotë se trimi duron, ndërsa i ligu ia mbath. Ne si popull nuk ia kemi mbathur në asnjë periudhë të historisë sonë”, tha Erdoğan.

– “Do të paguajnë ata që prishin qetësinë e qytetarëve tanë”

Duke theksuar se çdo gjë ka çmimin e saj, presidenti Erdoğan tha se “Tanimë nuk mund të vini dhe t’i rrethoni këto territore nga Siria. Në Kandil, në juglindje, kudo që është e pranishme PKK, PYD apo kushdo tjetër, ata që terrorizojnë këtë shtet do ta paguajnë çmimin e kësaj. Do të paguajnë ata që prishin qetësinë e qytetarëve tanë”.

– “Do ta vazhdojmë rrugën derisa të bëhet pastrimi”

Erdoğan potencoi se qëllimi i vërtetë i atyre që çdo ditë bombardonin dhe shkatërronin Sirinë duke u arsyetuar me DEASH-in doli në pah kur Turqia hyri në terren për ta pastruar këtë organizatë.

“Ata që deri dje na pyesnin se pse nuk po intervenonim ndaj kësaj organizate, sot na thonë të mos shkojmë më larg se 20 kilometra. Një gjë e tillë është e pamundur. Ne do ta vazhdojmë rrugën derisa të bëhet pastrimi”, vazhdoi Erdoğan.

– “Askush nuk ka fuqi ta rrënojë këtë shtet”

Erdoğan tha se të vdesësh nën flamurin me hënë dhe yll është nderi më i madh. “Për këtë arsye themi se askush nuk do të ketë fuqi ta rrënojë këtë shtet dhe popull përmes terrorit, ekonomisë apo përçarjes”, u shpreh ai.

“Falë Zotit, Turqia po vazhdon rrugën e saj si një shtet që ka siguruar bashkimin më të fuqishëm shtet-popull. Ne patjetër do ta arrijmë qëllimin tonë të vitit 2023 duke i mposhtur si organizatat terroriste të cilat zhvillojnë aktivitete në territorin tonë, ashtu edhe ata që përpiqen të realizojnë akte tradhtie afër kufijve tanë. Do të arrijmë edhe në vitin 2053, edhe 2071. Megjithatë, për ta bërë këtë, unë ju them: ‘Të jemi një, të gjallë, vëllezër dhe të bashkuar si Turqi”, tha Erdoğan.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button