Apel drejtuesve të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni

 

Edhe pak ditë na ndajnë nga zhgënjimi i madh: Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë përfaqësues politik të denjë për ta udhëhequr në rrugën e lirisë, mirëqenies, barazisë dhe progresit.

Që të mos ua marrim pushtetin që në zgjedhjet e ardhshme lokale, me të mirë, ose me dhunë, na e besoni koordinimin e disa çështjeve mes subjekteve tuaja, për realizimin e interesave të përgjithshme kombëtare, kur ju nuk mund të gjeni gjuhë të përbashkët për këtë;

Na e besoni udhëheqjen e negociatave me palën tjetër, për formimin e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë, që ne t’u garantojmë se, brenda gjashtë muajve shqiptarët në Maqedoni do të jenë popull konstituiv në shtetin e përbashkët, me këtë edhe do të realizohen të gjitha pikat e platformave tuaja dhe premtimet para elektoratit në zgjedhjet e fundit parlamentare, si: përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe zgjidhjen adekuate ligjore për simbolet shtetërore dhe kombëtare, ndarjen e barabartë të buxhetit të shtetit, decentralizimin e mirfilltë dhe ndarjen e drejtë territorriale të pushtetit vendor (komunave), përfaqësimin e drejtë dhe proporcional në organet e pushtetit dhe në administratë, investimet kapitale në të gjitha rajonet e vendit, rishqyrtimin e të gjitha proceseve të montuara politike deri më sot, etj.;

Na e besoni koordinim e subjekteve tuaja, me mandat këshillëdhënës, dhe ne ju garantojmë se pas dhjetë viteve të ardhshme shqiptarët do të udhëheqin me institucionet më vitale të Republikës së Maqedonisë, ku të gjithë do të jenë të barabartë dhe të lumtur, shqiptarët, maqedonasit, turqit, bullgarët, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe grupet tjera etnike pakicë;

Ne ju sigurojmë subjekteve dhe udhëheqësve tuaj, edhe nëse vazhdoni të bashkëpunoni me cilindo subjekt të bllokut politik maqedonas, si dhe me pushtetet e shteteve të tjera, si në Serbi, Rusi, Turqi, Iran, Arabi Saudite dhe të cilindo shtet tjetër, të gjitha përfitimet materiale do të ngelin në duart tuaja, për mirëqenien personale, të familjeve tuaja dhe të grupeve fanatike që ju rrethojnë, por, mos ia dhunoni lirinë popullit shqiptar në Maqedoni dhe mos e rrezikoni paqen dhe sigurinë ndërkombëtare me veprimet tuaja të papërgjegjshme!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button